27 ambasadorët e Bashkimit Evropian ranë dakord sot që të hiqen kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kështu, vendi ynë futet në listën e vendeve të tretë të sigurta për kryerjen e udhëtimeve jo esenciale.
Pas vendosjes së datës nga kur do të hyjë në fuqi vendimi, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE duke paraqitur një test negativ për Covid-19 të bërë 72 orë nga nisja. Ose mund të paraqesin dokumentin që vërteton se ata janë të vaksinuar. Të paktën 10 vende të unionit pritet që të njohin së shpejti edhe vaksinën kineze dhe atë ruse.
Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin.
Por çfarë do të ndodhë nëse fqinji ynë Greqia që ka vendosur kufizime të rrepta në kufi Shqipërinë vendos që ta vështirësojë situatën?
Gazetarja Erisa Zykaj duke raportuar nga Brukseli thotë se shtetet anëtare, përfshirë edhe Greqinë e kanë dhënë dritën jeshile në mbledhjen e ambasadorëve sot dhe, nëse duan të vështirësojnë situatën duhet ta justifikojnë.
“Greqia ka qenë prezentë dhe ka dhënë aprovimin e saj. E ka të vështirë të mos jetë dakord nesër. Nuk i dimë ende datat. Por të 27 shtetet janë të detyruar që ta respektojnë vendimin.”
Aktualisht Greqia lejon që në kufijtë e saj tokësorë me vendin tonë të kalojnë vetëm punonjësit sezonalë, në një kuotë të caktuar, që përmbushin edhe kriteret e vendosura nga shteti helen. s.b/abcnews.al/