BE finalizon projektligjin për të luftuar abuzimet në internet

schedule13:25 - 23 Prill, 2022

schedule 13:25 - 23 Prill, 2022

Negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të shtunën, 23 prill, e cila detyron platformat si Facebook, Twitter dhe Google që të menaxhojnë përmbajtjen e dëmshme, sikurse gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka përshkruar marrëveshjen si “historike”, e cila do të ketë shtrirje përtej Evropës.

“Rregullat e reja do të mbrojnë përdoruesit online, do të sigurojnë liri të shprehjes dhe mundësi për bizneset”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

“Çka është joligjore jashtë internetit do jetë joligjore edhe në botën virtuale në Bashkimin Evropian”, ka thënë von der Leyen.

“Një sinjal i fuqishëm për njerëzit, bizneset dhe shtetet në gjithë botën”.

Kjo marrëveshje përbën hapin më të madh të bllokut evropian në këtë fushë në 20 vjetët e fundit.

Marrëveshja nënkupton që kompanitë duhet t’iu shmangen përmbajtjeve të dëmshme siç është dezinformimi për koronavirusin, si dhe duhet të prezantojnë protokolle për të bllokuar përhapjen e materialeve të rrezikshme gjatë krizave sikurse pandemia.

Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së tani duhet të miratojnë legjislacionin e ri, para se të nisë periudha tranzitore 15-mujore, e cila i hap rrugën zbatimit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!