Nga BE thuhet, se draft-statuti për Asociacionin i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk është final, por pikënisje e rëndësishme. Nga ana e tij Kurti prezantoi draft-vizionin e tij. Dy draft-statute e asnjë zgjidhje?
Në një debat për Kosovën, të mbajtur të martën (09.05.) në Parlamentin Evropian ka qenë i pranishëm edhe Komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi. Për të draft-statuti i ekipit menaxhues të Kosovës, duhet të jetë pikënisje në diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni sipas draft-statutit i cili u prezantua me 2 maj në Bruksel, do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, ka thënë Varhelyi.
Kroacia ofron modelin e saj të pakicave kombëtare
Komisioneri Evropian e vuri theksin tek krijimi i Asociacionit si obligim që del nga marrëveshjet e dialogut. “Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Siç ka nënvizuar Përfaqësuesi special për dialog Miroslav Lajçak, draft-propozimi i prezantuar në takimin e fundit nga ekipi menaxhues, është pikënisje për diskutimet e mëtejme për themelimin e Asociacionit”, tha Varhelyi.
Një model për Kosovën ka ofruar ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliç Radman, i cili ishte të martën për vizitë në Prishtinë. Modeli kroat për trajtimin e të drejtave të pakicave kombëtare mund të shërbejë si model i mirë edhe për Kosovën, tha Radman, duke shtuar, se vendi i tij mbështet çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas ministrit të Jashtëm kroat modeli i vendit të tij ishte i suksesshëm por, ekzistojnë modele të shumta në botë që mund të përdoren.
Gërvalla: Nuk na nevojitet një Republikë e dytë serbe
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nga ana e saj, tha se Kosova ka shqyrtuar modele të shumta për mbrojtjen e pakicave, por nënvizoi se “Kushtetuta e Kosovës u ofron pakicave shumë më shumë të drejta se sa të gjitha modelet e tjera”. “Ne kemi trajtuar modele, i kemi parë cilat janë ato të cilat për neve nuk vijnë në shprehje, sepse shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Asnjë lloj formacioni, asnjë lloj Asociacioni, asnjë lloj mekanizmi nuk mund të implementohet në Kosovë, nëse e shkel së pari sovranitetin e vendit, së dyti Kushtetutën e vendit dhe së treti funksionalitetin e Republikës së Kosovës, sepse, këto tre elemente janë bazë për funksionimin e shtetit. Çfarë kemi parë në Bosnje e Hercegovinë përmes Republikës Serbe të instaluar atje, është një bllokim i tërësishëm i funksionimit të shtetit. Nuk ka për të ndodhur në Republikën e Kosovës. Ky rajon e ka mjaft një Republikë Serbe dhe nuk ka nevojë për një të dytë”, tha Ministrja Donika Gërvalla.
Drafti i parë i Asociacionit
Një javë më parë ekipi menaxhues për hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prezantoi në Bruksel draftin e parë. Ky draft, ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare. Sipas draft-statutit që e publikuan të martën mediet në Prishtinë, Asociacioni do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave” të të gjithë banorëve dhe komuniteteve që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit. Qendra administrative e tij, bazuar në draft-statutin e prezantuar, është Mitrovica e Veriut. Do të ketë Kuvendin e Asociacionit, i zgjedhur nga komunat anëtare, dhe Kuvendi është organi suprem i Asociacionit.
Ky draft statut që e publikuan mediet në Prishtinë, u kundërshtua ashpër edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, “dokumenti i projekt statutit, i hartuar nga Ekipi menaxhues, është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi, është shtet brenda shtetit. Ai shkroi në rrjetet sociale se “një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mban referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues”.
Draft-vizioni i kryeministrit Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e refuzoi këtë draft-statut menjëherë sapo u prezantua në Bruksel, duke thënë se ai është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe vlerat evropiane. Në të njëjtën kohë, Kurti propozoi një draft-vizion siç e quan ai, se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë. Në këtë dokument të kryeministrit të Kosovës, mes tjerash, thuhet se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë. E Presidenti i Serbisë, pas refuzimit që i bëri Kurti draftit të Asociacionit të prezantuar nga ekipi menaxhues, tha se “është shumë i shqetësuar, sepse është e qartë se Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”. “Kosova ose do ta pranojnë atë për të cilën jemi pajtuar në vitin 2015, ose do të jetë fundi i çdo gjëje”, tha presidenti serb Aleksandar Vuqiç, pas takimit me 2 maj në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Një draft vizion për Asociacionin që u prezantua nga kryeministri Kurti, po e mbështet ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, i cili tha se është koha që “Kosova nga ana e saj, “ta prezantojë zyrtarisht draft-statutin për Asociacionin”. Sipas tij, një dokument i tillë le të prezantohet duke u bazuar në draft-vizionin e paraqitur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha ambasadori Abbot, duke konfirmuar se Kosovën e viziton këtë javë e i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia u morën vesh për themelimin e Asociacionit. Po ashtu në vitin 2015, u dakorduan për parimet e tij. Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se 22 nene të Asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Themelimi i Asociacionit parashihet tanimë edhe me marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha javën e kaluar se “zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, nis me Asociacionin e komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”. /DW