BE do të kthejë më shumë emigrantë në vendet e origjinës

schedule20:36 - 26 Janar, 2023

schedule 20:36 - 26 Janar, 2023

Ministrat e emigracionit të Bashkimit Evropian po takohen të enjten në Stokholm për të diskutuar kufizimet e vizave dhe një koordinim më të mirë brenda bllokut për kthimin në vendet e origjinës të emigrantëve pa të drejtë azili në Evropë. Ndërkohë në vendet e Bashkimit Evropian janë shtuar prurjet e emigrantëve duke shkaktuar ringjalljen e ideve të debatueshme për pengesa kufitare dhe qendrat e azilit.

Kur kanë kaluar tre vjet që kur blloku 27 anëtarësh ra dakord të kufizojë vizat për vendet që nuk bashkëpunojnë për të rikthyer emigrantët që shkojnë në Evropë nga vendet e tyre, vetëm Gambia është ndëshkuar.

Komisioni Evropian propozoi hapa të ngjashëm për Irakun, Senegalin dhe Bangladeshin, ndërsa dy zyrtarë të bllokut thanë se është përmirësuar bashkëpunimi me Bangladeshin për kthimin e emigrantëve. Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, shkalla e përgjithshme e kthimeve të bllokut gjatë vitit 2021 ishte 21% .

Ministrja suedeze emigracionit, Maria Malmer Stenergard foli për median para fillimit të takimit. Aktualisht Suedia mban presidencën e radhës të BE-së.

“Kemi një situatë serioze për sa i përket emigrimit në Evropë. Po vërejmë shtimin e prurjeve të parregullta. Gjatë diskutimeve për çështjet e brendshme do të përqendrohemi tek kthimi i atyre që u është mohuar azili në Evropë. Kjo është e rëndësishme dhe Evropa mund të veprojë më mirë”.

Emigracioni është një temë shumë e nxehtë politike, ku vendet anëtare të bllokut janë të prirura të diskutojmë shtimin e kthimit të emigrantëve dhe uljen e imigracionit, sesa të ringjallin grindjet e ashpra mes tyre lidhur me ndarjen e përgjegjësive për kujdesin ndaj emigrantëve që arrijnë në Evropë dhe fitojnë të drejtën për të qëndruar.

“I jam shumë mirënjohës presidencës suedeze që azili dhe emigrimi i paligjshëm janë sot në qendër të diskutimeve, sepse është e nevojshme, kur shikohen shifrat e viteve të fundit dhe ato aktuale, që vazhdojnë të rriten në Evropë dhe Austri në veçanti. Është e rëndësishme që të shtohet lufta kundër keqpërdorimit të azilit”, tha Gerhard Karner, Ministër i Brendshëm i Austrisë.

Rreth 160,000 emigrantë kaluan Mesdheun gjatë vitit 2022, sipas të dhënave të OKB-së, rruga kryesore për në Evropë për ata që largohen nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Juglindore. Gjithashtu, rreth 8 milionë refugjatë ukrainas u vëndosen në Evropë.

“Dua të theksoj se për Gjermaninë është shumë e rëndësishme pritja humanitare e atyre që ikin. Duhet të ketë rrugë ligjore për të emigrimin dhe duhet të mënjanohen rrugët e rrezikshme përmes Mesdheut. Duhet të veprojmë siç duhet ndaj emigrantëve të parregullt”, tha Nancy Faeser, Ministre e Brendshme e Gjermanisë.

Ndërsa vendet e BE-së, përfshirë Austrinë dhe Hungarinë, protestojnë ashpër kundër emigracionit të parregullt, kryesisht mysliman nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, Gjermania është ndër ato vende që kërkojnë të hapin tregun e tyre të punës për punonjësit e huaj për të plotësuar nevojat e vendit.

Udhëheqësit e bllokur 27 anëtarësht do të takohen pas dy javësh në Bruksel për të diskutuar mbi emigrimin ndërsa pritet të bëjnë thirrje për kthimin në vendet e origjinës të më shumë emigrantëve./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!