Bashkimi Europian dhe Gjermania kanë zbutur tonet dhe i kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit qeverisë së re të Italisë. Ndërsa mediat ndërkombëtare e kanë pasqyruar daljen nga kriza politike me një ekzekutiv populist, si një zhvillim të rrezikshëm për Bashkimin Europian.
“Komisioni Europian ka besim të plotë në kapacitetet dhe në vullnetin e qeverisë së re për tu angazhuar në mënyrë konstriktive me partnerët dhe institucionet e BE-së për të ruajtur rolin kryesor të Italisë në Europë”.
Kështu është shprehur zëdhënësi i Presidentit Jean Claude-Juncker, i cili shton se ekziston angazhimi për të punuar me qeverinë italiane në përballimin e shumë sfidave, siç është dhe emigracioni.
Sa i përket Bashkimit Europian, një reagim për zhbllokimin e krizës politike në Itali ka ardhur dhe nga aleati i afërt, Gjermania. Kancelarja Angela Merkel është shprehur e hapur të bashkëpunojë me qeverinë e re të Romës. Këtë e ka thënë zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, duke folur në një konferencë për shtyp.
Ky reagim më i zbutur i tyre lidhet me faktin se ideologjia e dy partive me bazë euroskeptike të koalicionit Lega Nord dhe Lëvizja 5 Yjet, gjatë fushatës është bazuar në daljen e Italisë nga zona euro. Ndërkohë, zgjidhja e ngërçit politik është raportuar në të gjitha mediat ndërkombëtare me shumë vëmendje. Ajo që bie në sy është titulli pothuajse i njëjtë: “Italia formon qeveri populistësh”.
Ndërsa disa media ngrenë shqetësimin për përplasje të mundshme të ekzekutivit të ri me Bashkimin Europian. Sa i përket bursës, tregjet në Itali i janë përgjigjur pozitivisht daljes nga kriza politike./abcnews.al