BE-Britani, nis “lufta” tregtare

schedule21:17 - 8 Mars, 2018

schedule 21:17 - 8 Mars, 2018

Mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe kanë nisur “shkëndijat” e para të një konflikti tregtar. Në një kohë kur marrëdhëniet janë acaruar për shkak të Brexit, Brukseli ka kërkuar nga Londra shlyerjen e një detyrimi doganor prej 2.7 miliardë euro.

Komisioni Europian i ka dërguar një shkresë qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ku i bën të ditur se i detyrohet BE-së 2.7 miliardë euro taksa, për këpucët dhe materialet tekstile të importuara nga Kina. Britania akuzohet nga Brukseli se ka bërë fare pak për të parandaluar mashtrimet doganore, edhe pse ishte paralajmëruar për problemin nga autoriteti përkatës europian në vitin 2017.

Kjo situatë mund të çojë në nisjen e një procesi ligjor që mund të përfundojë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, shkruan BBC në edicionin online. Hetimi i vitit 2017 sugjeronte se Britania e Madhe ishte kthyer në parajsë për importuesit që donin t’u shpëtonin taksave dhe se grupe të krimit të organizuar përdornin fatura të falsifikuara për të ulur vlerën e mallrave që vinin nga Kina, të cilat kishin si destinacion tregjet e zeza në vendet e BE-së.

Në raportin hetimor thuhej gjithashtu se pala britanike ishte paralajmëruar disa herë për këtë dukuri. Por një zëdhënës në Londër ka deklaruar se qeveria britanike nuk e njeh vlerën e pretenduar nga Komisioni Europian dhe mohon shkeljet për të cilat akuzohet.

“Ne i trajtojmë krimet doganore shumë seriozisht dhe do të vazhdojmë t’i përgjigjemi çdo kërcënimi që shfaqet”, ka thënë zëdhënësi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!