BE: Ankesë në OBT kundër Kinës për keqtrajtimin e Lituanisë

schedule08:55 - 29 Janar, 2022

schedule 08:55 - 29 Janar, 2022

BE-ja kritikoi masat e Pekinit ndaj Lituanisë lidhur me qëndrimin e saj politik ndaj Tajvanit. Kina tha se çështja është “politike” dhe jo “ekonomike” prandaj nuk ka vend për ankim në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Bashkimi Evropian njoftoi se ka paraqitur një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për sjelljen e Kinës ndaj vendit anëtar të BE-së, Lituanisë. Pekini e hodhi poshtë këtë ankesë si “të pabazë dhe jokonsistente”.

“Paraqitja e ankesës pranë OBT-së nuk është një hap që ne e bëjmë lehtë,” tha komisioneri i BE-së për Tregtinë, Valdis Dombrovskis. “Megjithatë pas përpjekjeve të përsëritura të dështuara për ta zgjidhur çështjen në mënyrë dypalëshe, ne nuk shohim rrugë tjetër përveçse të kërkojmë konsultime me OBT-në për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kinën.”

Molla e sherrit – Tajvani

Çështja është pretendimi i Lituanisë për reagimet e ashpra të Kinës për vendimin e Vilniusit në korrik të vitit të kaluar për të lejuar përfaqësuesit nga Tajvani – të cilin Kina e konsideron si një territor rebel që i përket Kinës dhe jo si një shtet demokratik të vetëqeverisur – që të hapin një seli diplomatike në kryeqytetin e këtij vendi baltik.

Ky vendim i një prej vendeve më të vogla të BE-së, e zemëroi Kinën, dhe Pekini reagoi me shpresën se do ta detyronte Lituaninë të ndryshonte qëndrimin e saj.

Komisioni Evropian, i cili në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së, prezanton BE në rast konfliktesh pranë OBT-së në Gjenevë, tha se masat e Kinës përfshinin ” refuzimin për të zhdoganuar mallrat lituaneze, refuzimin e kërkesave të Lituanisë për importim mallrash nga Kina dhe presion ndaj BE-së që kompanitë që operojnë jashtë shteteve të tjera anëtare të BE-së të heqin nga zinxhirët e tyre të furnizimit lëndët e para ose prodhimet nga Lituania.”

Në nëntor Kina gjithashtu e uli nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Lituaninë dhe ndaloi lëshimin e vizave.

Kina paralajmëron BE-në të jetë e kujdesshme ndaj Lituanisë

Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Dombrovskis tha se BE e konsideron Kinën një “partner jetik”, duke vënë në dukje se “ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie.” Megjithatë, tha ai, “marrëdhëniet tona kërkojnë respekt të ndërsjellë”. Dembovski shtoi se “BE është e vendosur të veprojë me shpejtësi dhe e bashkuar kundër masave që kërcënojnë integritetin e tregut tonë të brendshëm.”

Masa të tilla kërcënuese përfshijnë presionin ndaj kompanive të tjera evropiane – si prodhuesit gjerman të pjesëve të automobilëve Continental – që të heqin partnerët lituanezë nga zinxhirët e tyre të furnizimit.

Ndërkohë Pekini u tall me akuzat për presion ekonomik. “Çështja midis Kinës dhe Lituanisë është një çështje politike, jo ekonomike,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian./DW