Komisioni Europian ka akuzuar udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë se i ka premtuar emigrantëve hyrjen në BE, si pjesë e një “qasjeje çnjerëzore, të stilit gangster”. Të paktën 2,000 emigrantë ndodhen momentalisht në kufirin Bjellorusi- Poloni, shkruan BBC
“Pas mbërritjes, ata po shtyhen në kufi me njëri-tjetrin dhe po përpiqen të futen ilegalisht në Bashkimin Europian”, tha zëdhënësi i Komisionit Europian Peter Stano. Udhëheqësi i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko ka mohuar akuzat.
Anëtarët e BE-së dhe NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia kanë konstatuar një rritje të numrit të emigrantëve që po përpiqen të hyjnë ilegalisht në vendet e tyre nga Bjellorusia gjatë muajve të fundit. Shumë prej tyre janë të rinj, por midis tyre ka gra dhe fëmijë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia, raporton abcnews.al
Emigrantët kanë treguar sesi autoritetet bjelloruse sekuestruan telefonat e tyre dhe i shtynë drejt gardhit kufitar. Temperaturat gjatë natës në kufi kanë rënë nën zero dhe disa njerëz kanë humbur jetën. Polonia ka dislokuar trupa shtesë pasi turmat e dëshpëruara u përpoqën të prisnin një gardh me tela të hënën. Roja kufitare thanë se 300 prej tyre kishin tentuar të kalonin ilegalisht.
Qeveria paralajmëroi për një përshkallëzim të mundshëm “të armatosur” në kufirin e saj me Bjellorusinë, nga frika se fqinji i saj mund të përpiqet të provokojë një incident. Kreu i departamentit të sigurisë kombëtare të Polonisë, Stanislaw Zaryn, tha se emigrantët ishin nën kontrollin e njësive të armatosura bjelloruse. “Bjellorusia dëshiron të shkaktojë një incident të madh, mundësisht me të shtëna dhe viktima,” tha zëvendësministri i Jashtëm Piotr Wawrzyk.
BE, NATO dhe SHBA kanë theksuar se Bjellorusia po orkestron problemin. Brukseli nga ana tjetër ka akuzuar liderin e diskutueshëm të Bjellorusisë për provokimin e fluksit të emigrantëve në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të BE-së, të vendosura pas rizgjedhjes së tij, raporton abcnews.al
Ministria e mbrojtjes së Bjellorusisë hodhi poshtë deklaratat polake, duke i cilësuar si të pabaza dhe akuzoi Varshavën për shkelje të marrëveshjeve duke vendosur mijëra trupa në kufi. Bjellorusia këmbëngul se emigrantët po mbërrijnë legalisht dhe se ajo thjesht po vepron “si një vend mikpritës”.
Kuźnica: próba sforsowania polskiej granicy pic.twitter.com/kqCkLPdsiK
— Ministerstwo Obrony Narodowej ?? (@MON_GOV_PL) November 8, 2021
Zëdhënësja e agjencisë së OKB-së për refugjatët Shabia Mantoo tha se ishte shumë e shqetësuar nga skenat e fundit: “Përdorimi i refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve për të arritur qëllime politike është i papranueshëm dhe duhet të marrë fund”.
Komisioni Europian po shqyrton vendosjen e sanksioneve shtesë të cilat përfshijnë “linjat ajrore të vendeve të treta” të përfshira në transportimin e emigrantëve në Bjellorusi. KE tha se po shqyrtonte fluturimet për në Minsk nga një sërë vendesh, duke përfshirë Sirinë, Iranin dhe Katarin, si dhe Rusinë dhe disa shtete të Afrikës Veriore.
Gjermania të martën i kërkoi BE-së të ndërmarrë veprime ” për të ndihmuar Poloninë. Lituania gjithashtu ka zhvendosur trupat në kufirin e saj me Bjellorusinë për t’u përgatitur për një fluks të mundshëm emigrantësh.
/abcnews.al