Bashkimi Evropian do të përdorë 1.4 miliardë euro nga interesat e krijuara mbi asetet e ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën, bëri të ditur të martën Komisioni Evropian.
Fondet vijnë nga interesat mbi bilancet monetare që lidhen me asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, të cilat u ngrinë nga BE-ja pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se këto të ardhura do të përdoren për të ndihmuar Ukrainën në përballimin e pasojave të luftës.
“Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin që ka shkaktuar. Ne po përdorim të ardhurat nga asetet e ngrira ruse për të siguruar që kjo të ndodhë”, tha von der Leyen.
Sipas saj, fondet shtesë prej 1.4 miliardë eurosh do të shërbejnë për të forcuar rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus dhe për të mbështetur përpjekjet e saj gjatë luftës.
Vendimi është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të përdorur burimet financiare të lidhura me asetet ruse të ngrira si një mënyrë për të ndihmuar Ukrainën dhe për t’i kërkuar Moskës përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga konflikti.


