120 milionë dollarë është fondi i miratuar nga Banka Botërore për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në Shqipëri.
Programi i ri do të mbështesë Shqipërinë në tri fusha kryesore, të cilat synojnë,forcimin e hapësirave fiskale, përfshirë përmirësimin e administrimit të taksave dhe raportimit të ndërmarrjeve shtetërore mbi rreziqet e mundshme sociale dhe mjedisore.
Po ashtu në fokus do të jetë edhe zgjerimi i tregut të energjisë, duke nxitur burimet e rinovueshme si dhe mbrojtjen e mjedisit në kuadër të uljes së emetimeve të karbonit. Përfaqësuesi i Bankës Botërore tha se ky program synon përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët .
“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë.Ky financim do ta ndihmojë vendin të adresojë sfidat kryesore në sektorin e energjisë si dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të menaxhuar rreziqet fiskale dhe për të mbështetur më mirë shtresat në nevojë të popullsisë.”
Programi reflekton aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Banka Botërore vlerëson se kuadri i politikave makroekonomike të Shqipërisë mbetet i qëndrueshëm, me deficit fiskal të menaxhueshëm, borxh publik në rënie si dhe politikë monetare të qëndrueshme./abcnews.al