Në vitin 2025, Shqipëria do të hapë ambasadat e saj në Bosnje Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se viti 2025 do të jetë një vit sfidash dhe mundësish për vendin. Ministri u ndal edhe te partneriteti me NATO-n, duke thënë se baza ajrore taktike e aleancës në Kuçovë ofron stabilitet për rajonin e Ballkanit.
Hasani njoftoi gjithashtu edhe hapjen e dy zyrave të reja në Tiranë, të Bankës Evropiane të Investimeve dhe zyrën e Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara.
“Ky vit ka shënuar 15 vjetorin e anëtarësimit në NATO një hap në rëndësishëm. Shqipëria mbetet e angazhuar në aleancë. Hapja e bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë ëshë shembull i shkëlqyer i investimeve të aleancës duke siguruar stabilitet për rajonin. Nënshkrimi i letrës nga ministrat e mbrojtjes për projektet në Korridorin 8 është fakt domethënës. Kemi nisur edhe organizimin e samitit të NATO-s në 2027, ku Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të presë një ngjarje kaq të rëndësishme nga vendet e rajonit.
Viti 2025 do të jetë vit sfidash por mendoj se do të jetë edhe vit mundësish për të konsoliduar arritjet. Ministria e Jashtme ka përfituar buxhet 3.8 miliardë lekësh, më i madhi i alokuar ndonjëherë për shërbimin e Jashtëm dhe do të përdoret për partneritete të reja dhe promovuar invesitme dhe mundësi bashkëpunimi. Organizimi i Samitit të Komitetit Politik në Tiranë në maj 2025 do të jetë ngjarje e rëndësishme që do të theksojë edhe njëherë rolin e vendit tonë në proceset politike dhe diplomatike si aktor aktiv dhe i përgjegjshëm. Ky samit që do të mbahet për herë të parë në Tiranë, është një hap i madh jo vetëm për imazhin që kemi krijuar por edhe mundësinë për të marrë përsipër organizimin e ngjarjeve të nivelit të lartë.
Në 2025, do të kemi hapje të ambasadave të reja të republikës së Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia, që përfaqësojnë një angazhim të fortë për të ndihmuar në rritjen e mundësive bashkëpunimi. Në 2025, Tirana do të pres hapjen e zyrës së Bankës Evropiane të Investimeve dhe zyrën e Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara.“, u shpreh Hasani./abcnews.al