Bayern “vulos” titullin/ Bavarezët mund të fitojnë sot kampionatin gjerman

schedule12:30 - 3 Maj, 2025

schedule 12:30 - 3 Maj, 2025

Ajo që ndodhi vjet tashmë është harruar. Tek Bajerni nuk janë mësuar të presin gjatë dhe ja ku janë në prag të triumfit të radhës.

Edhe pse nuk është kënaqësia më e madhe për tifozët, gjithsesi titulli në Bundesligë mbetet krenari e madhe dhe konfirmim I dominimit brenda Gjermanisë.

Championsi, që ishte një zhgënjim këtë vit, mund të presë.

Skuadra e madhe bavareze I ka mundësitë të shpallet këtë të shtunë kampione nëse fiton në fushën e një ekipi rival si Lajpcigu.

Ndeshja e parë në “Alianc Arenë” përfundoi 5-1 për ekipin e trajnerit Vinsent Kompani, ndonëse këtë herë pritet të jetë shumë më e vështirë.

Edhe pse Lajpcigu u mund 4-0 nga Frankfurti javën e kaluar, sërish në stadiumin e tij do të përpiqet ta ndalojë festën bavareze.

Barazimi gjithashtu mund t’i mjaftojë Bajernit për të fituar “pjatën e Bundesligës”, gjithnjë nëse Leverkuseni nuk do të arrijë të mundë Frajburgun të dielën.

Vitin e kaluar, Leverkusen u shpall kampion duke sfiduar gjigandët e Mynihut për herë të parë në histori.

Bajerni nuk do të ketë sulmuesin anglez, Harri Kejn të pezulluar dhe Xhamal Musialën të dëmtuar.

Rekordmenët e titujve, që kanë fituar 33 të tillë në histori, kryesojnë Bundesligën me 75 pikë pas 31 javëve, ndaj 67 të “aspirinave”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!