Mirupafshim në çerekfinale!
Kështu duket se tha Bajerni në fund të ndeshjes së parë të të tetave të finaleve të Ligës së Kampionëve.
E si mund të jetë ndryshe kur fiton 6-1 në fushë kundërshtare?
Atalanta, edhe pse bëri heroizëm ndaj Dortmundit, këtë herë nuk pati asnjë shans, ndonëse luajti përpara tifozëve të vet.
Një triumf historik në Itali, edhe për një gjigand që është mësuar të fitojë thellë.
Stanishiç, dy herë Olise, Gnabri, Xhekson dhe Musiala ishin autorët e golave për miqtë, që arritën deri në 6-0, ndërsa Pashaliç realizoi një ngushëllim për bergamaskët në minutën e tretë shtesë.
Bajerni bëri shumë më tepër, dhe mbajti topin 71 për qind ndaj një ekipi të fortë!
Kjo tregon shumë, ashtu si edhe 25 gjuajtjet gjithsej nga të cilat 13 në kuadrat, apo goditjet e këndit 7-2!
“Skaj Sport” nga Gjermania e thotë troç: Një paralajmërim për Europën! Bajern turpëron atë që eliminoi Dortmundin, dhe pa Kejnin! Një shfaqje force në Bergamo!
E përditshmja tabloide “Bild” është në të njëjtën linjë: Shfaqje e Bajernit! Ky ishte një paralajmërim titulli për Europën! Bajerni fshiu Atalantën, shkatërroi italianët 6-1!”
Gjithsesi, revista “Kiker” ngre shqetësimin: Pilula e hidhur për t’u gëlltitur në fitore! Dejvis zëvendësohet në lot, shqetësojnë edhe Musiala e Urbig!
Bavarezët e mbyllën ndeshjen me tre dëmtime, ndërsa duhet parë gjendja e futbollistëve të rëndësishëm në një moment-kyç të sezonit.
Ndërkaq, “Kiker” hedh edhe dyshime se mos kartoni I verdhë I marrë nga Kimih ishte me dashje, për të qenë pa rrezik në çerekfinale.
Përtej dëmtimeve dhe hamendësimeve, Bajerni duket tepër I fortë e ndoshta mund të konsiderohet favorit për ta fituar këtë Champions.


