Bayern Munich nuk ia doli të bindte mbrojtësin David Alaba për të rinovuar, por kjo nuk i step bavarezët për të nënshkruar kontratat e reja edhe me futbollistë të tjerë që janë në skuadër aktualisht.
Kampionët e Gjermanisë tashmë kanë një mision tjetër, që gjithashtu nuk do ta kenë të lehtë. “Kicker” raporton se Bayern i ka ofruar heroit të finales së Champions League, Kingsley Coman, një kontratë të re.
Aktualja i përfundon më 30 qershor të vitit 2023 dhe bavarezët janë ulur dhe kanë diskutuar me përfaqësuesin e francezit dhe i kanë ofruar një marrëveshje të re deri në vitin 2026.
Coman ka refuzuar propozimin e bërë nga gjermanët dhe bisedimet për momentin janë ndërprerë. Në vazhdim mund të ketë një raund të dytë bisedimesh për gjetjen e gjuhës së përbashkët për rinovimin. /abcnews.al