Historia nuk harrohet as edhe kur nuk mundet të filmohet. Të tilla kanë qenë fillimet e Bayern Munich, skuadrës më të madhe të Gjermanisë, që si klub u themelua pikërisht 124 vite më parë, teksa këtë të martë të 27 shkurtit “Bavarezët” festojnë ditëlindjen, dhe padyshim kanë për çfarë të jenë krenarë.
Që nga titulli i parë i fituar në kohën e filmimit bardhezi, e deri tek epokat e mëdha të viteve 70-të, apo të pas viteve 2000, nuk është e lehtë të zgjedhësh momentet më të shkëlqyera.
Fanellën e rëndë e kanë veshur “yje” të jashtëzakonshëm si Franz Beckenbauer, Gerd Muller, Karl-Heinz Rummenigge, që më pas u bë drejtues ashtu si Uli Hoeness, ndërsa brezat e fundit kanë pasur Lothar Matthaus, Oliver Kahn, Stephan Effenberg, apo Franck Ribery, Arjen Roben, Philipp Lahm e Bastian Schweinsteriger.
Triumfet e fundit të mëdha u arritën në 2020 me trajnerin Hansi Flick, kur u morën 7 trofe, përfshi kampionatin dhe Champions League.
Bajerni ka gjithsej 33 tituj në Bundesliga, 20 Kupa të Gjermanisë dhe 6 Kupa të Kampionëve e Champions. Po ashtu, është fituar Kupa UEFA, Kupa e Kupave, dy herë Superkupa e Evropës, dhe 4 herë Kupa e Botës për klubet. Padyshim, “Bavarezët” janë një nga emrat më të shquar të futbollit kontinental, ashtu si Real Madrid, Barcelona, Liverpool, Milan apo Juventus.
Këtë sezon Bayern duket se do ta humbasë titullin kampion për herë të parë pas 11 viteve, pavarësisht golave të “yllit” të sulmit, Harry Kane. Trajneri Thomas Tuchel pritet të largohet, e ndoshta në vend të tij të vijë Zinedine Zidane, ndërsa tifozët janë të sigurt se rënia është e përkohshme dhe skuadra “Bavareze” do të jetë sërish në majë të Gjermanisë dhe të Evropës. /i.m /abcnews.al