Batuta dhe prapaskena, rrëfehet Lorik Cana: Euro2016 më ka mbetur peng

schedule18:54 - 6 Prill, 2020

schedule 18:54 - 6 Prill, 2020

Ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, ka treguar disa prapaskena gjatë Euro 2016 që u zhvillua në Francë, ka folur për të ardhmen e tij, veçoi tre momentet kulminante të karrierës, si dhe bëri një batutë shumë të bukur kur u pyet se si po i shkojnë ditët e izolimit,  duke thënë se ka shtuar plot 14 kilogramë. Në një intervistë të gjatë për Supersport, Cana u shpreh:

IZOLIMI – “Situatën po e përjetoj si shumica, me familjen time. Po mundohemi ta kalojmë këtë karantinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam shtuar 14 kile”.

MOMENTET – “Veçoj 3 momente në karrierën time. Ndeshja në Kosovë në 2002, ndeshja me Zvicrën në Gjenevë që ka qenë ndeshje ime e parë. Ndeshja me Greqinë gjithashtu. Nga ndeshja me Armeninë kam përjetuar më shumë emocione, pasi përfunduam një rrugëtim shumë të gjatë”.

 

EUROPIANI – “Do kisha dëshirë që të isha më shumë protagonist, që të shkonim edhe më tej. Pasi kemi zhvilluar ndeshje shumë të bukura. Në fillim me Zvicrën në Francë, kishim shumë presion. Më ka ngelur peng ndeshja në Marsejë sepse luajtëm shumë mirë. Para ndeshjes me Rumaninë, iu thashë çunave që do largohem nga Kombëtarja dhe nuk doja të ishte me Rumaninë, por të kalonim më tej, pasi e meritonim”.

 

DREJTOR SPORTIV – “Nuk është diçka që do e hiqja nga planet e mia. Kam dëshirë që të jem pjesë e sportit. Duke qenë botë e sportit ke më shumë fusha. Ndoshta nuk i dihet, pse jo, Marseille është klubi im i zemrës. Ndarja nga jeta e ish-presidentit te Marseille më ka prekur shumë, sa kam fjetur shumë pak atë natë”.

KOMBËTARET – “Do të doja shumë që të kishim vetëm një kombëtare dhe të përfaqësohet me vetëm një shtet. Kemi pasur mundësinë, kur sporti mund të ishte një pikë bashkuese dhe këtë kemi bërë. Kemi dhënë mesazhe, se kjo është Shqipëria dhe t’i tregojmë botës së ne nuk jemi të ndarë”.

PRESIDENT I FSHF – “Nuk e kam pasur kurrë në mendje të bëhem president i Federatës. Gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin dhe të jap vetëm mesazhe pozitive. Por në të ardhmen nuk i dihet, ndoshta edhe mund të ndodhë. Nuk mendoj se jam i aftë për atë gjë”.

GOLAT NË FUND – “Këtë nuk e kam dëgjuar. E vërtetë që kemi pësuar shumë gola në fund, por ky është edhe një mesazh se ia kemi dalë dhe tani mund të bëjmë të njëjtën gjë”.

TALENTI MË I MADH KUQEZI – “Kam pasur fatin të luaj me një gjeneratë të madhe. Ka pasur lojtarë të ndryshëm, por le të themi se më kanë pëlqyer cilësitë e Ervin Skelës”, përfundoi Cana./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!