Idriz Batha shënoi golin e parë në “Air Albania Stadium” dhe pas ndeshjes, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, tha se e kishte parashikuar se do realizonte. Këtë ai ua ka thënë dje shokëve, në grumbullimin e bërë.
“Një ndeshje derbi dihet që lojtarët japin maksimumin, ndoshta edhe më shumë. Nuk kanë nevojë për motivim. Taktike duhet, por e rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të ndihmosh shokët”.
“Goli i parë në stadiumin e ri? Ndihem mirë. Mbrëmë ishim me shokët dhe u thashë që do jem shqiptari i parë që do shënoj, pasi do hyj në histori se do thyejmë edhe tersin. Fatmirësisht ia dolëm”.
“Nuk është se isha shumë gjakftohtë, ndoshta vjen nga mosha. Besoj se prej kësaj vjen. Nuk luajtëm krejt në mbrojtje. Kishim iniciativën dhe zotërimin e topin në pjesën e parë. Ndjesia e golit? Ishte një ndjenjë e bukur, pasi ishim në krahun e tifozëve. E nuhata pak a shumë, pasi e njoha Torassan. E di si kroson dhe mendova ta sulmoja portën. Topi erdhi tek unë dhe shënova”.
“Kur shënova nuk mendova për tifozët e Partizanit. Ata i respektoj gjithmonë, të çdo ekipi ku kam luajtur. Nuk mendoj se do them apo bëj diçka kundër tyre”.
“Egbo? Ekipi ka nevojë për trajner, ndoshta ai mund të jetë i duhuri. Nuk gjykohet trajneri në derbi, pasi lojtarët bëhen vetë trajnerë. Mema e Ahmataj kanë shumë merita. Kemi marrë çfarë kanë ditur prej tyre. E falënderoj Memën për urimin dhe për çdo gjë”. /abcnews.al