Mesfushori i Tiranës, Idriz Batha, u shpall lojtari më i mirë në takimin kundër Teutës. Së bashku me Çelhakën në mesfushë, Batha bëri një ndeshje solide, duke ndihmuar Tiranën të fitojë me përmbysje 2-1. Pas ndeshjes, mesfushori foli për Supersport, ku u shpreh:
TITULLI – “Unë do të luftoj çdo vit për titullin, por duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe nuk po e mendojmë titullin”.
TIFOZERIA – “Sigurisht, ekipi e tregoi forcën, duke përmbysur rezultatin. Ekipi e ka treguar javët e fundit që ka cilësi dhe forcë për të fituar kundër çdo kundërshtari. Tifozeria ishte e zjarrtë dhe të gjithë së bashku, e fituam këtë ndeshje”.
GRUPI – “Nuk di të jap një përgjigje të saktë, por ndoshta them që tani lojtarët janë afruar më shumë me njëri-tjetrin. 80% e ekipit ndryshoi dhe të gjithë duan kohën e vet. Mendoj se tani e kemi gjetur gjuhën e përbashkët”.
RASTI – “Nuk di çfarë të them (qesh). Nuk e di, komplet faji im. E rëndësishme është të fitojmë”.
ARBITRI – “Një faull e shkaktova unë, nuk po më kujtohet. Unë e preka arbitrin? Të jem i sinqertë, nuk më kujtohet. Nuk e besoj ta kem prekur ose të kem bërë diçka kundër tij, kjo është e sigurt”.
KUKËSI – “Nuk e di, të jem i sinqertë, ekipet në Shqipëri nuk kanë diferenca të mëdha. Diferenca është nëse një ekip e konsideron çdo ndeshje si finale. Nëse ne vazhdojmë kështu, besoj se mund të dalim në krye, edhe me pak fat. Nuk di të them çfarë kemi më shumë se Kukësi”.
MOMENTI – “Të jeni të sigurt, se po ta kisha prekur arbitrin, do të ishte në tokë në ato moment, jo duke vrapuar (qesh)”.
DRIBLIMET – “Është e vërtetë, nuk e shoh fare si batutë, por si një gjë të mirëqenë, nuk duhet të dribloj brenda zonës. Isha dhe pak i lodhur dhe të jem i sinqertë, nuk bëra zgjedhjen e duhur”, tha Batha./abcnews.al