Batha e Torassa gati, Egbo: Tirana ime ka karakter, Teuta vlen sa Kukësi

schedule15:15 - 7 Nëntor, 2020

schedule 15:15 - 7 Nëntor, 2020

Tirana luan nesër kundër Teutës, në Pogradec. Kampionët në fuqi të vendit do të kenë sërish mungesa, pasi Çelhaka, Toshevski dhe Cale janë të dëmtuar, ndërkohë që me shumë mundësi nga fillimi do ta nisin Agustin Torassa dhe Idriz Batha.

Ata ishin pezulluar nga Komisioni i Disiplinës, por me gjobë mund ta shlyejnë dënimin dhe të jenë në fushë nesër kundër Teutës. Trajneri Emanuel Egbo, në konferencën e zakonshme për shtyp është shprehur:

“Mungesa vazhdojnë të jenë 3-4 lojtarët e dëmtuar. Ndoshta presim rikthimin e Bathës dhe Torassës, të cilët kanë qenë të dënuar. Shpresoj që lojtarët që luajtën kundër Kukësit do jenë rikuperuar plotësisht, pasi ishte ndeshje e vështirë dhe kanë shpenzuar energji. Presim të jetë i freskët ekipi dhe nesër vendosim edhe për formacionin”.

Egbo e di mirë se i pret një përballje e vështirë: “Kundër Teutës do jetë një ndeshje e njëjtë si ajo ndaj Kukësit, pasi edhe ata janë pretendentë për titull. Kështu që do jetë ndeshje e fortë. E kemi vlerësuar maksimalisht dhe do futemi në fushë për të dhënë më të mirën. Duke dhënë maksimumin shpresojmë të dalim me rezultatin që na takon”.

Triumfi kundër Kukësit tregoi forcën e Tiranës dhe nigeriani shton: “Mendoj se duke fituar 2-0 kundër Kukësit, pretendent për titull, është një sinjal që ka dhënë ekipi, pavarësisht mungesave. Ekipi tregoi që ka karakter, mentalitet dhe personalitet. Nëse vazhdojmë ashtu, do të jetë një kampionat i mirë dhe luftuar”.

“Stadiumi? Nuk kemi çfarë të bëjmë, është koha për mbjelljen e fushave. Do presim kur do jetë gati stadiumi ynë, ose ‘Air Albania’. Ne do luajmë në çdo stadium dhe shkojmë kudo për të dhënë maksimumin”, përfundoi Egbo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!