Bastisen zyrat e kanalit ABC në Australi

schedule09:57 - 6 Qershor, 2019

schedule 09:57 - 6 Qershor, 2019

Policia bastisi të mërkurën zyrat e Korporatës Australiane të Transmetimeve (ABC) lidhur me dyshime për publikim të materialeve sekrete. Policia federale australiane tha se bazuar në një urdhër gjykate u krye një kontroll në selinë qendrore të transmetuesit në Sidney si dhe u zhvillua një takim me ekipin ligjor të tij.

Sipas rrjetit televiziv, kontrolli policor lidhej me një seri informacionesh të publikuara në vitin 2017 nga një gazetar investigativ i ABC-së, ku zbuloheshin deklarata për sjellje të paligjshme të forcave speciale australiane në Afganistan.

Drejtori editorial i ABC-së Craig McMurtrie e quajti kontrollin një “veprim serioz e shumë të padëshiruar”.

“Ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të kufizuar fushëveprimin e këtij kontrolli si dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të qëndruar pranë gazetarëve tanë”, tha ai, duke shtuar se “është në interesin e publikut që disa të vërteta të rënda të thuhen”.

Bastisja në zyrat e transmetuesit televiziv ABC ndodhi një ditë pasi policia bastisi shtëpinë e një redaktori që punon për kompaninë mediatike australiane “News Corp” lidhur me publikimin e një përpjekje të qeverisë për të fituar kompetenca për të përgjuar komunikimet e brendshme të shtetasve australianë./VOA