Basketboll/ “Greek Freak” nuk mjafton, Spanja mund Greqinë në grupet e Olimpiadës

schedule20:16 - 30 Korrik, 2024

schedule 20:16 - 30 Korrik, 2024

U luajt mesditën e së martës ndeshja e dytë në Grupin A mes Spanjës dhe Greqisë, në lojërat olimpike, në basketboll për meshkuj, me përfaqësuesen “Furitë e Kuqe”, që fituan me rezultatin 84-77 ndaj “Helenëve”.

Fillimi i sfidës ishte më i mirë për grekët, por gjithsesi Spanja rikuperoi në periodën e dytë dhe triumfoi në pjesën e parë në shifrat 49-35.

Pas kthimit nga pushimi, Greqia ishte më superiore dhe ngushtoi diferencën në minus 6 përpara periodës së fundit dhe fraksioni që do të vendoste fituesin dhuroi shumë emocione deri në sirenën përfundimtare, me takimin që u vendos pak para fundit me një seri pikësh nga spanjollët.

Të besuarit e italianit Sergio Scariolo morën një fitore të rëndësishme që e mban skuadrën brenda objektivave, teksa për Greqinë komplikohet disi rrugëtimi, pasi i duhet me patjetër një fitore në sfidën e fundit ndaj Australisë.

Në këtë përballje ra në sy ylli i NBA, Giannis Antetoukoumpo, i cili shënoi 27 pikë dhe dhuroi 11 asiste, por shokët e ekipit nuk ishin në lartësinë e tij. Nga ana tjetër, për Spanjën ishin deçiziv Aldama dhe veterani Sergio Llull, por bëri mire edhe eksperienca e madrilenit Rudy Fernandez.

Kujtojmë që të dy përfaqësueset kishin humbur në ndeshjet e tyre të para. Përkatësisht Spanja u mposht 92-80 nga Australia, ndërsa Greqia humbi 86-79 ndaj skuadrës së Kanadasë.

Ndeshjet e fundit të grupit A do të zhvillohen më datë 2 gusht, ku do të përcaktohet edhe renditja përfundimtare.

Në lojërat Olimpike, në basketboll për meshkuj, janë 3 grupe me nga 4 skuadra pjesëmarrëse, ku kalojnë 2 më të mirat e çdo grupi dhe 2 të tretat më të mira, për të formuar kështu fazën e çerekfinaleve të kompeticionit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!