Basketboll femra: Flamurtari fiton titullin e 23-të, trofeu për Viron Toskën

schedule10:17 - 9 Qershor, 2021

schedule 10:17 - 9 Qershor, 2021

Flamurtari në basketboll për femra shpallet kampion për herë të 23-të në historinë e vet. Flamurtari ka fituar edhe ndeshjen e tretë finale përballe Partizanit, të martën në mbrëmje në Pallatin e Sportit në Vlorë, me shifrat 68-60.

Një kampionat i dominuar totalisht nga vajzat kuqezi në këtë sezon, ashtu si edhe ka ndodhur edhe vitet e tjera. Ekipi vlonjat që këtë kampionat është drejtuar nga trajneri Erion Hoxha, ka ditur serish të tregojë supremacinë e vet mbi skuadrat e tjera në basketbollin e femrave.

Pasi kishte fituar dy takimet e para, ekipi vlonjat ka përmbyllur gjithçka në takimin e tretë, duke mos i dhënë asnjë mundësi për revansh Partizanit. Dhe ne fakt pallati i sportit në Vlorë ka qenë në festë nga sportdashësit vlonjatë, të cilët kanë harruar për disa momente zhgënjimet që ka sjellë futbolli në Vlore, duke iu gëzuar një titulli kampion, atij të basketbollit të femrave.

 

Takimi ka nisur fillimisht me një ceremoni përkujtimore ndaj ish-trajnerit Viron Toska, rekordmenit të titujve të fituar në pankinën e skuadrës vlonjate, dhe titulli i këtij sezoni i është dedikuar pikërisht ish-trajnerit Toska.

Takimi në parket ka vijuar më pas me rivalitet nga të dyja skuadrat, por me Flamurtarin më dominues në lojën e vet, pavarësisht se emocionet te dyja skuadrat bënë të veten. Në fund të katër periodave, gëzimi është i ligjshëm te skuadra vlonjate, që feston kështu një tjetër titull kampion në basketboll për femra duke treguar se vijon të mbetet skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar.

Skuadrës dhe kapitenes Artemida Myrto i është dorëzuar më pas edhe kupa e kampionatit nga drejtues të Federatës Shqiptare të  Basketbollit.

Protagonistet e këtij suksesi natyrisht janë ata të cilët i gëzohen një tjetër trofeu, ndërsa mes emocionesh, duke nisur nga trajneri Hoxha, shefi i klubit Klevis Kaso, apo edhe lojtaret Omersabic, Myrto e Memushi, u shprehën të lumtur për një tjetër fitore dhe trofe të Flamurtarit.

Flamurtari në basketboll për femra shpallet kështu sërish kampion, për herë të 23-të në histori, një titull i dedikuar edhe ndaj ish-trajnerit Toska, por një titull që tregon supremacinë e ekipit vlonjat ndër vite. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!