TIRANË- Pasi theu akullin, duke i shkruar poshtë shtëpisë, Gazment Bardhi dhe të tijtë hodhën dhe një hap tjetër drejt asaj që kanë 5 muaj që po përpiqen të bëjnë. Dy vite më parë Gazment Bardhi në krah të Lulzim Bashës, e mbronte këtë seli nga Sali Berisha dhe të tijtë që nuk kursyen asnjë mjet, për ta rimarrë.
Por e shkuara duket e harruar për Gazment Bardhin, që tashmë po mendon për 2025-ën.
“Jo përçarje, jo konflikt”
Gazment Bardhi e mbajti fjalën e parë, jo para deputetëve por mediave, për të sqaruar hapin e tij, që dy vite më pare, e do të mendohej i pamundur.
“Prania jonë këtu do të thotë mirëkuptim, respekt për mendimin ndryshe. Në jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona”
Asnjë fjalë për Berishën në këtë fjalë të tij, po ftesë për të gjithë ata që këtë të hënë, nuk ishin në seli.
“Një parti e fortë duhet t’i përfshijë të gjitha flukset brenda vetes. Dhe ne kemi nevojë për këtë më shumë se kurrë”, tha ai.
Në sallën e mbledhjes, Bardhit i ishte rezervuar karrigia drejtuese, si kryetar i grupit parlamentar të PD. Mungoi si në çdo mbledhje Jorida Tabaku, Ferdinand Xhaferraj e Flamur Hoxha.
Këtu megjithatë Gazment Bardhi deklaroi hapin e radhës, atë që të pjesëmarrjes dy orë me pas në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Foltores, i zgjedhur si rrjedhojë e Kuvendit të stadiumit të Berishës, kur u konfirmua kryetar i PD. Gazment Bardhi asnjëherë nuk është përgjigjur nëse njeh Sali Berishën si kryetar, as këtë të hënë, edhe pse për herë të dytë i shkoi me mbështetësit e tij poshtë ballkonit./ abcnews.al