“Bashkitë, rol të rëndësishëm në integrim”, Haxhimali: Jo vetëm projekte të jashtme, duhet të konkurrojnë me projekte dinjitoze

schedule14:34 - 11 Mars, 2024

schedule 14:34 - 11 Mars, 2024

Eksperti për çështjet e pushtetit vendor, Agron Haxhimali deklaroi se ulja e borxhit të bashkive të vendit përbën një trend pozitiv. Në një intervistë për “Money Report, duke komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët, ai theksoi se bashkitë duhet të kenë një performancë më të mirë.

“Shlyerja ka ardhur si pasojë e dy ndërhyrjeve të vetë bashkive, dhe qeverisë. Ka qenë rreth 3.5 miliardë lekë, tregues i fuqishëm i uljes së këtyre detyrimeve. Bashkitë duhet të kishin performancë më të mirë por rëndësi ka që jemi në trendin pozitiv të uljes së borxheve. Dy bashkitë që nuk kanë borxhe janë një leksion për të tjerat“, deklaroi eksperti.

Duke u ndalur edhe tek paralajmërimi i kryeministrit për rritjen e nivelit të pagave në bashki, Haxhimali e konsideroi një lajm të mirë.

“Lajm i mirë. Për hir të së vërtetës, kritikat për njësitë të qeverisjes vendore pas reformës ishte se nuk kishin një stabilitet të burimeve njerëzore. Shumë largime nga puna, vendimet e gjykatave detyronin bashkitë që për një vend pune të paguanin dy paga por fakti që mesazhi u dha nga qeveria se do të kemi tregues të performancave, të përcaktojmë standartet për numrin e punonjësve, është i vonuar por i domosdoshëm. Duhet angazhim për të zgjidhur njëherë e mirë këtë çështje.  Bashkitë e vogla kanë sfidë të madhe të mbajnë në pune stafe të tilla si inxhinierë, arkitektë, juristë për shkak të pagave por jo vetëm. Indeksimi dhe ndryshimi i pagave është e mirë. E kemi kërkuar prej vitesh që të kemi një farë unifikimi. Ulja me tre shkallë është lajm i mirë, që domethënë se një inxhinier që punon në Tiranë dhe një në bashkinë Divjakë, hendekun dhe diferencën ta ketë mjaft të amortizuar“, shtoi eksperti.

Haxhimali thotë se bashkitë nuk duhet të “ushqehen” vetëm me fonde të BE-së por duhet të marrin përsipër projekte të tyre.

“Bashkitë kanë një rol të rëndësishëm për çështjet e procesit të integrimit edhe pse është shumë vertikal. Ku qëndron rëndësia? 70 përqind e legjislacionit të BE zbatohet në nivel vendor. Duhet të jenë nga pikëpamja e përgatitjes, sjelljes së institucionit, të kenë pjesëmarrës transparent. Tek çështja e thithjes së investimeve, Shqipëria nuk renditet mirë krahasuar me vendet e BE por nëse zbresim në fonde rajonale dhe lokale nuk prezantohemi shumë mirë dhe kjo lidhet me aftësitë dhe  kapacitetet për projektet.  

Edhe pse vitet e fundit ka pasur projekte nga BE dhe organizata që punojnë në këtë drejtim, mendoj se ka nevojë për një qasje më institucionale por i qëndroj edhe faktit që mund të ndërtojmë institucione qendrore që të mësojmë bashkitë që të shkruajnë projektet. Nuk e gjej me vend t’i ‘ushqejmë’ me projekte të jashtme, por t’i mësojmë sesi t’i shkruajnë vetë dhe të fitojnë pavarësinë e tyre. Të mbledhin specialistë të mirë dhe të jenë konkurrues. Bashkia vetë duhet të konkurrojë me projekte dinjitoze, duhet të ecin në këtë drejtim.”, tha Haxhimali./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!