Bashkitë kthehen në çerdhe punësimi për militantët, në Dibër jepen 767 paga për t’i shërbyer një grushti njerëzish

schedule15:15 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 15:15 - 23 Dhjetor, 2021

Nxjerrja e borderove të pagave për më shumë se 694 mijë shqiptarëve të punësuar në sektorin privat dhe atë publik mund të konsiderohet si skandali më i madh me të dhënat personale krahas databazës së patronazhistëve për qytetin e Tiranës, ku votuesit filtroheshin sipas bindjeve politike, ndërsa përbri emrit kishte edhe komente, përfshi edhe numrin e telefonit.

Një ditë më parë, nëpër “Whats App” qarkulloi borderoja e pagave të muajit janar 2021 me emrat e më shumë se 630 mijë të punësuarve në privat dhe publik, ndërsa sot ka rrjedhur një tjetër bordero, pikërisht ajo e muajit prill, e cila ka në total rreth 694 mijë pagamarrës në sektorin publik dhe privat.

Kjo databazë duket të jetë edhe më problematike, pasi krahas pagës, numrit të ID, dhe të dhënave mbi punëdhënësin, gjendet edhe numri i telefonit për secilin të punësuar.

Kemi të bëjmë me një vepër penale të rëndë, për të cilën prokuroria ka nisur hetimet, megjithatë për herë të parë, një bordero e tillë bën transparencë mbi punësimet në sektorin publik, gjë për të cilën ka patur mjaft akuza se janë bërë mbi kritere politike.

Abcnews.al ka mësuar disa të dhëna mbi punësimet e bëra nëpër bashkitë e vendit, ku bashki të vogla numërojnë numra të jashtëzakonshëm personash që mbahen me paga pa patur ndonjë detyrë specifike gjatë angazhimit të tyre.

Bashkia e Dibrës është një ndër ato që spikasin, ndërsa nuk mund të lihen mënjanë edhe bashkitë e Lushnjes dhe Belshit, për të cilat do të raportohet në vijim.

Vazhdimisht gjatë takimeve të tij me kryetarët e bashkive, kryeministri Rama ka kërkuar prej tyre mirëmenaxhim të fondeve që transferohen nga Buxheti i Shtetit dhe që pushteti lokal të mos kthehen në çerdhe të punësimit të militantëve, një porosi kjo që nuk është marrë në konsideratë prej tyre.

Referuar të dhënave që ka mësuar abcnews.al, Bashkia e Dibrës ka në bordero me një total prej 767 personash.

Në total, Bashkiae  Dibrës jep rreth 37 milion lekë (345 mijë USD) paga çdo muaj.

Aty futen edhe personat e punësuar në Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve, si edhe të punësuarit nëpër Njësitë Administrative, ose ish-komunat e mëparshme.

Bashkia e Dibrës ka një total prej rreth 77 mijë banorësh, ku pjesa më e madhe jeton në qytetin e Peshkopisë.

Një shifër e tillë duket tërësisht e ekzagjeruar pasi përllogaritet që një pagamarrës nga Bashkia e Dibrës t’i shërbejë mesatarisht 100 personave.

Krahas kësaj, Dibra konsiderohet si një nga qarqet më të prekura nga emigracioni, ku mjaft fshatra janë tërësisht bosh, ndërsa në të gjithë bashkitë gëlon fenomeni i dhënies së pagave ndaj personave që nuk janë fare në Shqipëri.  /abcnews.al