Drejtoresha e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Adelina Farrici, e ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka theksuar rëndësinë e reformës territoriale dhe nevojën urgjente për konsensus politik.
Ajo u ndal te tre shtyllat kryesore të reformës, elementi territorial, përmirësimi i shërbimeve dhe efiçenca ekonomike, duke nënvizuar se autonomia financiare e bashkive mbetet thelbësore. Farrici vlerësoi faktin që të dyja krahët e politikës do të ulen në tryezë, duke theksuar se koha është e kufizuar dhe se mosmarrëveshjet politike, si në reformën e vitit 2014, nuk duhet të përsëriten.
Sipas saj, konsultimi politik dhe ekonomik synon arritjen e një konsensusi që do t’i hapë rrugë zhvillimit ekonomik lokal, rritjes së investimeve dhe përmirësimit të të ardhurave për qytetarët.
“Elementi i parë është elementi territorial, elementi i dytë është përmirësimi i shërbimi dhe elementi i tretë është efiçenca ekonomike, nuk duhet të harrojmë dhe autonominë financiare. Është gjë shumë e mirë që të dyja krahët e politikës do të jenë në tavolinë, Nuk duhet që të humbasim më shumë kohë. Koha është shumë e limituara.
Konsensusi politik është shumë e rëndësishme. Një nga problematikat që kishte reforma e vitit 2014 ishte fakti që pati një braktisje nga njëra prej palët politike. Do të jetë një konsultim në nivel politik, ekonomik të cilat do të çojnë më pas në konsensus. Një nga objektivat kryesore të kësaj strategjie është që bashkitë të marrin zhvillim ekonomik lokal. Kjo kërkon burime natyrore dhe njerëzore të shtuara, në mënyrë që t’i gjenerosh politika dhe që çdo investitor të jetë i garantuar, për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal. Zhvillimi ekonomik lokal do të sjellë më shumë të ardhura për qytetarët”, tha Farrici.


