Bashkia e Tiranës nderon Kadarenë, shtëpia e shkrimtarit do kthehet në muze

schedule15:23 - 28 Janar, 2019

schedule 15:23 - 28 Janar, 2019

Me rastin e 83-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare, Bashkia e Tiranës ka vendosur që shtëpinë e tij ta kthejë në muze.

Në shenjë nderimi me rastin e ditëlindjës së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, Bashkia e Tiranës, ka nisur punën për kthimin në muze të shtëpisë së tij në Rrugën e Dibrës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi si një moment të rëndësishëm këtë nismë me rastin e 83 vjetorit të lindjes së Kadaresë

 Erion Veliaj: Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli”. 

Veliaj më tej nënvizoi se falë kësaj ndërhyrje, do të dalë në pah një tjetër xhevahir i mbuluar nga pluhuri dhe falënderoi shkrimtarin Kadare dhe bashkëshorten e tij, Helenën, për bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës.

Veliaj: “Ai është ndoshta emri më i njohur ndërkombëtarisht nga ne shqiptarët dhe besoj se për shumë turistë që vijnë në Tiranë, të cilët vizitojnë “Bunkerin”, “Shtëpinë e Gjetheve”, do të kenë një tjetër stacion fantastik këtu në shtëpinë e Ismail Kadaresë. E falenderoj atë dhe Helenën, që bashkëpunuan me Bashkinë e Tiranës për ta rikonceptuar, për ta kaluar këtë shtëpi në pronë të Bashkisë së Tiranës”. 

Projektin e Bashkisë së Tiranës për shtëpinë e Ismail Kadaresë, edhe arkitektja e njohur italiane, Elisabetta Terragni, e cilësoi si tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re dhe për vendin tonë./abcnews.al