Julia Navalnaya do të marrë pjesë sot në takimin e ministrave të Jashtëm në në Bruksel, tre ditë pas vdekjes së bashkëshortit të saj, liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, në një burg rus.
“Të hënën do të mirëpres Yulia Navalny në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së”, tha kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.
“Ministrat e BE-së do të dërgojnë një mesazh të fortë mbështetjeje për luftëtarët e lirisë në Rusi dhe do të përkujtojnë Alexei Navalny”, shkroi ai.
Ajo tha se Vladimir Putin ishte “personalisht përgjegjës” për vdekjen e tij dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për t’i shkaktuar një disfatë “këtij regjimi të tmerrshëm”.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do të diskutojnë gjithashtu mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe një paketë të mundshme të 13-të sanksionesh kundër Moskës pasi ajo filloi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt 2022.
Gjatë fundjavës, policia ruse në dhjetëra qytete arrestoi qindra njerëz që kishin shkuar për të vendosur lule dhe ndezur qirinj për nder të Navalny në memorialet e viktimave të shtypjes së epokës staliniste.
Organizatat e të drejtave të njeriut dhe media e pavarur raportuan dënime të ngjashme në qytete të tjera.
Demonstratat kundër Kremlinit dhe veprime të tjera publike të opozitës ndaj regjimit janë të paligjshme në Rusi kryesisht sipas një ligji që ndalon tubimet pa leje.
/abcnews.al