Zyrtarë të administratave në disa qytetet të vendit janë ndëshkuar me masa disiplinore deri në kallëzim për ndjekje penale. Rastet janë ndjekur nga Task Forca Antikorrupsion pas ankesave të qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes. Është ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që raporton masat ndëshkimore.
“Nisur nga një tjetër ankesë e ardhur në portalin shqiperiaqëduam.al lidhur me veprimtarinë e Zyrës Përmbarimore Fier është shkarkuar nga detyra sot, kryetari i kësaj zyre. Nga inspektimet e kryera nga Task Forca Antikorrupsion rezulton se ka pasur shkelje disipline në punë në mënyrë të përsëritur, në veprimtarinë e tij si përmbarues, gjithashtu janë gjetur shkelje ligjore për mos respektim të afateve dhe procedurave gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë.
Njëkohësisht gjatë kësaj jave Shërbimi i Brendshëm i Kontrollit të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë ka evidentuar shkelje ligjore për 6 punonjës policie pranë IEVP-së Lezhë, pasi kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin lidhur me elementet e sigurisë në institucionet penitenciare. Për të gjashtë punonjësit e Policisë së Burgjeve, ashtu si shefi i policisë janë marrë masa disiplinore lidhur me përgjegjësinë e tyre administrative. Në fund, strukturat kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit gjatë javës që lamë pas kanë evidentuar katër vepra penale në të cilat janë proceduar penalisht pesë autorë për krime në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”, tha Gjonaj./abcnews.al