Bashkëpunimi rajonal, Vuçiç ftesë Ramës dhe Zaev për të vizituar vendin

schedule16:24 - 28 Shtator, 2019

schedule 16:24 - 28 Shtator, 2019

Me fokusin në bashkëpunimin rajonal presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka ftuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev të vizitojnë Beogradin.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në fjalimin e tij në Nju Jork vëmendjen gati në tërësi ia kushtoi bashkëpunimit rajonal. Vuçiç, pavarësisht se nuk i ka shkuar mirë me shumicën e fqinjëve, u shfaq duke folur për Ballkanin si një tërësi, ku bashkëpunimi është i domosdoshëm.

Vuçiç, në një pjesë që tingëllonte si mesazh paqeje, rreshtoi investimet e infrastrukturës të cilat, sipas tij, tregojnë angazhimin e Serbisë për fqinjësi të mirë.

“Kam patur një takim të rëndësishëm me kryeministrin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë. Ramë dakord që të punojmë për vetën tonë dhe rajonin tonë, për një treg të përbashkët. Ndoshta është diçka revolucionare, por popujt e Ballkanit nuk mund t’i shërbejnë vetëm të tjerëve pasi mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme për veten e tyre”.

Ideja për mini Schengenin ballkanik pritet të diskutohet me 9 dhe 10 Tetor në qytetin e Novi Sadit në mes të kryeministrit Rama, Zaev dhe presidentit Vuçiç. Kjo është pritur me entuziazëm në Serbi. Analisti Dushan Janjiç, nuk është shumë optimist. Thotë se tregu ballkanik është i rëndësishëm, por kështu vështirë pasi para këtyre duhen marrëdhënie të mira mes shtetesh.

“E shoh si motiv politik të liderëve, por shihet se disa duan dhe disa nuk duan të jenë pjesë e këtij projekti. Këto shtete nuk janë në gjendje të mbajnë marrëdhëniet bilaterale në nivel të lartë”.

I entuziazmuar duket Marko Cadez, kreu i Dhomës së Tregtisë së Serbisë, një institucion i rëndësishëm. Thotë se ideja ka ekzistuar, por për biznesin është me rëndësi që shkëmbimet tregtare të jenë për të gjithë.

“Kjo do të thotë që do të rrisim tregun dhe nuk do të ketë më barriera mes nesh për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Kurse në një aspekt që nuk ka lidhje me ekonominë, është që ndihmon për një marrëveshje të re ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.

Në Serbi, kjo ide shihet edhe si një mesazh për të ndryshuar imazhin e Ballkanit të trazuar. Por, që kur është shfaqur një ide  e ngjashme në një samit në Trieste, ka patur hezitime./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!