“Bashkëpunim ekonomik mes Kosovës e Shqipërisë”, Gërxhaliu: Biznesi ka bërë më shumë sesa politika. Kemi potenciale të pashfrytëzuara

schedule20:37 - 1 Nëntor, 2024

schedule 20:37 - 1 Nëntor, 2024

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se bashkëpunimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë më i madh. Në një lidhje live për emisionin “Sheshi i dollarit” në ABC News, ai theksoi se biznesi ka bërë më shumë hapa të avancuar mes dy vendeve sesa politika.

“Kur flasim për Kosovën dhe Shqipërinë jam i shqetësuar. Ti thuash dikujt që jemi dy shtete dhe një popull i ndarë, dhe kemi një këmbim tregtar me afër 439 milionë euro vret. Paramendo që në MV dhe Bosnje Hercegovinë që kanë problem të shumta ndër etnike vetëm një kompani në 2023 ka eksportuar mbi 2 mld euro. Në Kosovë eksporti total ka qenë afër 900 milion euro. E dyta, nuk ka bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Duhet dialog dhe po mungon.

Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të trajtohen si ekonomi konkurruese. Fati më i madh i Kosovës dhe Shqipërisë është që komuniteti i biznesit ka bërë hapa më të avancuar sesa politika. Po të mbetej bashkëpunimi ekonomik në mëshirën e politikës nuk do të kishte ndodhur kjo. Janë potenciale të pashfrytëzuara që do të na mallkojë ardhmëria. 439 milionë euro në rrethana normale duhet të ishte këmbimi tregtar midis dy kompanive në Kosovë dhe Shqipëri.”, u shpreh ai./abcnews.al