Bashkë në luftën ndaj Covid 19/BE: Në Shqipëri, 4 milionë euro për furnizimin me pajisje mjekësore të shpëtimit të jetës

schedule18:53 - 8 Prill, 2020

schedule 18:53 - 8 Prill, 2020

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reagur në lidhje me situatën e fundit të krijuar në çdo vend në kuadër të luftës globale ndaj Covid 19.

Këtë të mërkurë Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesit e Lartë kanë përcaktuar planet për një reagim të fuqishëm dhe të synuar të BE-së për të mbështetur përpjekjet e vendeve partnere në trajtimin e pandemisë së koronavirusit

Në këtë deklaratë BE thekson se në Shqipëri, 4 milionë Euro janë kontraktuar tashmë për furnizimin me pajisje mjekësore të shpëtimit të menjëhershëm të jetës.

Reagimi i delegacionit të Bashkimit Evropian ne Shqiperi:

Sot, Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë përcaktuan planet për një reagim të fuqishëm dhe të synuar të BE-së për të mbështetur përpjekjet e vendeve partnere në trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Veprimi kolektiv i BE-së do të përqendrohet në trajtimin e krizës së tanishme shëndetësore dhe nevojave humanitare që vijnë prej saj, forcimin e sistemeve të shëndetësisë, ujit dhe kanalizimeve të vendeve partnere, si dhe kapaciteteve të tyre kërkimore dhe të gatishmërisë për ta përballuar pandeminë, si dhe për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik. Për të mbështetur këto veprime, BE-ja do t’ju sigurojë vendeve partnere mbështetje financiare që arrin në më shumë se 15.6 miliardë Euro nga burimet ekzistuese të veprimit të jashtëm.

Në Shqipëri, 4 milionë Euro janë kontraktuar tashmë për furnizimin me pajisje mjekësore të shpëtimit të menjëhershëm të jetës. BE-ja ka krijuar partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit, në mënyrë që kjo mbështetje të sigurojë artikujt e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur (ventilatorë, ambulanca, aparatura portative për ekzaminimin me rreze x, shtretër për Njësitë e Përkujdesjes Intensive, si dhe materiale mbrojtëse dhe dezinfektantë për punonjësit e kujdesit shëndetësor). BE-ja do të sigurojë gjithashtu 46.5 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Vendet e Ballkanit Perëndimor i janë bashkuar nismave të BE-së, siç është Marrëveshja e Përbashkët e Prokurimit për pajisjet mjekësore dhe sistemi evropian i alarmit të shpejtë për sëmundjet ngjitëse. Vendet që negociojnë për pranimin e tyre mund të përfitojnë gjithashtu nga Fondi i Solidaritetit i BE-së. BE-ja ka mirëpritur gjithashtu vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Sigurisë Shëndetësore të BE-së. Gjithashtu, së shpejti Komisioni do të mobilizojë asistencë makro-financiare për Ballkanin Perëndimor dhe vendet fqinje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN)./abcnews.al

Linku i plotë: https://eeas.europa.eu/delegations/albania/77282/node/77282_sq

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!