Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të hënë me ftesë të kryeministrit Avdullah Hoti, do të nisë vizitën e tij dy ditore në Kosovë. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, pritet që kryedemokrati të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, atë të Nismës, Fatmir Limaj.
Ndërsa në ditën e dytë të vizitës pritet që të zhvillojë një takim me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe atë të Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, dhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.
Në këtë vizitë Basha do të shoqërohet nga Edi Paloka, nënkryetar i kësaj partie, Besnik Mustafa, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PDSH-së dhe Arben Çejku, ish-ambasador dhe drejtues i Qendrës Shqiptare për Mirëqeverisje./abcnews.al