Basha uron Fitër Bajramin: Forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, e nesërmja do jetë më mirë

schedule22:30 - 23 Maj, 2020

schedule 22:30 - 23 Maj, 2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin. Me anën e një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, Basha uron gëzuar “festën e madhe të shpresës dhe besimit.”

Basha shkruan gjithashtu se koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar.

“Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë”, shton ai.

Po ashtu kryedemokrati shkruan se bashkon lutjet me të gjithë besimtarët, “në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit…”

Postimi i plotë:

Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit!

Koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar. Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë.

Bashkoj lutjet e mija me të gjithë besimtarët, në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit, për prindërit dhe për fëmijët tanë e për mbarë kombin tonë, me këtë sure me titullin kuptimplotë Shndritja:

“Si kur shndrin dielli i mesditës,

Ashtu dhe natën kur terri bie,

Zoti yt nuk të ka braktisur,

As zemëruar me ty nuk është.

Dhe patjetër çfarë po vjen,

Për ty më mirë do të jetë se çfarë po shkon,

Dhe Zoti duarplot do të jetë me ty,

E ti i lumtur”.

Zoti ju dhëntë begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin!

Zoti e bekoftë Shqipërinë! /abcnews.al/