Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi banorët e Katundit të Ri në Durrës. Qeveria tha Basha ka dështuar të strehojë qytetarët pas tërmetit të 26 nëntorit dhe shumë prej tyre po qëndrojnë në ndërtesa të pabanueshme. Kjo sipas shefit të selisë blu mund të përserisë tragjedinë e Thumanës.
Shumë banorë në Katund te Ri, fshat i Durrësit, kanë mbetur pa strehë pas tërmetit të 26 nentorit.
Shqetësimet ja treguan kryetarit të Partise Demokratike Lulzim Basha.
“Akt konstatimi, 2 dhjetor, pallat i pabanueshëm nga rënia e tërmetit, firmosur nga Zhyljen Varfaj”
“U bënë kaq ditë nuk erdhi kush të na thotë ku banoni, a jetohet aty. Deri tani është strehuar vetëm 1 familje nga 1 shoqatë fetare.”
Shefi i selisë blu ju la nje porosi.
“Porosia ime si bashkëqytetar është mos u fusni në objekte të cilat nuk kanë certifikim. E kam parë me sytë e mi se çfarë ndodhi në Thumanë. Ajo që ndodhi në Thumanë ishte plotësisht e shmangshme. Nëse shteti do të kishte bërë detyrën e vet dhe do t’u kishte thënë atyre banorëve “mos u fusni”, ata 24 njerëz nuk do të ishin nën tokë”.
Një thirrje kryetari i Partisë Demokratike kishte dhe për kryeministrin.
“Jo që të bëjë pelivanin nëpër Shqipëri, por të caktojë para dhe me ato para të merret banesa me qera dhe u jepet familjeve që kanë nevojë. Ai që ka në dorë sot buxhetin dhe vendimet, një gjë duhet të bëjë, të ndalë spektaklin mbi vdekjen, sepse ka filluar të bëjë spektakël me vdekjen, dhe t’u vijë në ndihmë njerëzve.”
Në Katundin e Ri banorët janë të revoltuar me qeverinë. Ata i treguan kryetarit te Partise Demokratike se energjia elektrike iu ndërpritet sapo bie nata./abcnews.al