Lideri i opozitës Lulzim Basha ka vijuar takimet e tij me sipërmarrës të ndryshëm për t’u njohur nga afër me problematikat e tyre, tashmë të shtuara edhe nga situata e pandemisë.
Basha është ndalur në Divjakë, ku edhe u takua me një sipërmarrës, i cili tregoi se gjendja ekonomike është e vështirë.
Ata shprehet se ky vit për ta është një vit thuajse i zi. “Nga ky moment që po flasim kam zero rezervime”, shprehet ai.
Ndërkohë Basha u shpreh se situata e krijuar nuk është për shkak të mungesës së standardeve, por sipas tij bizneset nuk kanë marrë mbështetjen duhur nga qeveria.
“Një nga degët kryesorë që vuan izolimin e Shqipërisë është turizmi. Nuk është parë asnjë një ndihmë për ta nxjerrë këtë sektor nga kriza. E vetmja gjë që vazhdon është mbledhja e taksave pavarësisht se nuk ka asnjë ndihmë.Cili është prioriteti i kësaj qeverie, e cila në vend që t’I dedikohet çdo sekondë, çdo qindarkë për të pamundurit, e keni parë çka bërë dje?
Ka dhënë koncension 1.2 miliardë euro për rrugën imagjinare Milot – Fier. Them imagjinare, sepse një pjesë e kësaj rruge është ndërtuar. E mbani mend Ramën kur thoshte rrugë… rrugë… Pra, një qeveri në ikje që jep 1.2 miliard euro për një rrugë imagjinare. E kam thënë që qeveria e ardhshme nuk ka për të njohur asnjë prej këtyre vendimeve”, tha Basha.