Kreu i PD Lulzim Basha ka përshëndetur vendimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).
Basha shprehet se ky është një proces i vonuar, por një arritje plotësisht e merituar për Maqedoninë e Veriut dhe me peshë gjeostrategjike për NATO-n, që do të shërbejë si një vlerë e shtuar për paqen, sigurinë.
Mesazhi i Lulzim Bashës:
Kam kënaqësinë të uroj përzemërsisht, fqinjin tonë, autoritetet shtetërore, vëllezërit dhe motrat tona dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mirëseardhjen në familjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Pa asnjë mëdyshje, ky është një proces i vonuar, por një arritje plotësisht e merituar, një ngjarje historike për MV dhe me peshë gjeostrategjike për NATO-n, që do të shërbejë si një vlerë e shtuar për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë.
Uroj dhe besoj fort që shpejt aleancës tonë ti bashkohen edhe vendet e tjera të rajonit, dhe që politika e sukseshme e zgjerimit të NATO-s në rajon, të shërbejë si shembull për procesin e anëtarësimit të vendeve tona mbi bazë të meritës në Bashkimin Europian.



