Basha: Rama mbron Tahirin me imunitet parlamentar dhe bën prokurorisë gjyq publik

schedule17:16 - 21 Tetor, 2017

schedule 17:16 - 21 Tetor, 2017

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga selia blu akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndalon drejtësinë me imunitet parlamentar dhe po orkestron një gjyq publik për prokurorët. Sipas Bashës provat e administruara nga prokuroria janë të mjaftueshme për përfundimin e kësaj etape proceduriale. Teksa seanca e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve vazhdonte mbledhjen për marrjen e vendimit lidhur me kërkesën e Prokurorisë që kërkon heqjen e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri, dhe ky i fundit sëbashku me avokatin e tij këmbengulin në mungesën e provave për miratimin e kësaj kërkese, Lulzim Basha doli në selinë blu për të listuar ato që ai i konsideron të tilla. “ Rama në kater vjet ka ndaluar çdo hetim.. A nuk është provë fakti që makina e ministrit përdorej nga trafikantët të cilët kanë udhëtuar në Itali me makinën e ministrit, ndërkohë që ajo ishte e regjistruar në emër të tij? A nuk janë prova plantacionet e drogës dhe magazinat e drogës që mbroheshin nga policët e korruptuar të cilët, figurojnë në këto përgjime se ngarkonin thasët e drogës në gomone? A nuk është provë se krimi kishte kontroll edhe tek dhoma e radarëve nga ku policët e korruptuar i drejtonin se kur dhe ku e si ti dërgonin skafet për në Itali? A nuk është provë kur sheh sesi trafikanti blen 9 mijë euro varësen për familjarët e ministrit, dhe se si, atij i paguhen 30 mijë euro për një shërbim? Se ka bërë të paktën 5 milionë euro në muaj por i duhen 20 milionë për fushatë? Kush ka sy në ballë dhe mend në kokë e kupton se faktet dhe provat janë të mjaftueshme për të pranuar kërkesën e prokurorisë. Vetëm ata që tremben nga këto fakte dhe prova të mbledhura nga antimafia italiane, bëjnë sikur nuk kuptojnë”. I kujton Këshillit se heqja e imunitetit nuk është cënim i të drejtave dhe lirive por vetëm zbritja e një ministri apo deputeti në nivelin e një qytetari të thjeshtë për nga cënueshmëria. “Në narkoshtetin e Edi Ramës ka dy drejtësi: Një për qytetarët e thjeshtë, të cilët arrestohen për një faturë dritash, ju prishen shtëpitë me rruspa paligjshmërisht, dhe një drejtësi tjetër për Saimir Tahirin dhe pushtetarë të tjerë që janë të paprekshëm dhe nuk mund t’u afrohesh dot as tek makina edhe kur kryejnë krime të rënda”. Për këtë sipas Bashës, garant është vetë kreu i qeverisë Edi Rama. “Po, Edi Rama do që Saimir Tahirit të mos ndalohet, të mos i kontrollohen shtëpitë, të mos i kontrollohen pronat, të mos i kontrollohen makinat, të mos i kontrollohen paratë. Do që Saimir Tahiri të lihet i lirë që të zhdukë provat, të manipulojë drejtësinë, të kërcënojë dëshmitarët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit. As krimi, as trafiku i drogës, as përfshirja në to dhe as ndarja e pushtetit me kupolën mafioze, nuk mund të bëheshin e nuk janë bërë, pa dijeninë, bekimin, lejen dhe mbrojtjen e Ramës. Kjo dhe vetëm kjo është arsyeja se pse, në vend që t’i hapin rrugën drejtësisë, Edi Rama po mbron Tahirin me imunitetin parlamentar dhe po i bën gjyqin prokurorisë dhe drejtësisë”. Nga paniku – thotë Lulzim Basha – kreu i ekzekutivit urdhëron edhe anti-mitingje me sharës për ti bërë presion prokurorëve. Kjo vetëm e vetëm që të shpëtojë ai dhe ministra të tjerë, e kryebashkiak të kapur në flagrancë me fakte dhe prova, përgjime dhe foto nga partnerët si bashkëpuntorë të krimit të organizuar të trafikut të drogës.

https://youtu.be/Uj_urZCwk6k

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!