Urgjenca për ta zgjidhur sa më parë kryetarin e ri, që më shumë gjasë do të jetë i vjetri, Lulzim Basha, po e fut PD-në nga një kaos në tjetrin. Shumica në Kryesi, që miratoi dhe datën 29 korrik për ta zgjedhur kreun e ri, edhe nën presion të mbështetësve të Lulzim Bashës, duket se do e ketë kontrollin e të gjithë procesit.
Grupi tjetër, i përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, Tabaku dhe deputetët, si për t’i dhënë të drejtë vetes në kundërshimin e urgjencës, kërkojnë që për procesin të zbatohet statuti në çdo gërmë të tij.
Më i përpiktë në këtë, edhe për shkak të postit, është Gazment Bardhi. Sekrtari i Përgjithshëm, është njëri prej të ngarkuarve për të ndjekur procesin e zgjedhjeve në parti. Bardhi, që prezantoi një platformë bashkimi, ishte i pari që la mbledhjen e Kryesisë, në orët e para të mëngjesit të 7 qershorit, për shkak të imponimit të miliantëve të Bashës. Por ai për Abc News se do e ndjek këtë proces.
“Do përmbush dhe ushtroj çdo përgjegjësi që më njeh Statuti i Partisë”, tha ai.
Sipas statutit, Sekretari i Përgjithshëm, organizon dhe ndjek zbatimin e akteve të nxjerra nga organet qëndrore të partisë, në degët e saj. Një prej tyre është kërkesa për ta thirurr Këshillin Kombëtar të PD, ndoshta si një manovër, për ta shtyrë zgjedhjen e kreut të ri.
Ky organ, siç e parashikon neni 44, e thërret kryetari ose Kryesia e PD-së. Shumca e anëtarëve të kryesisë, sipas burimeve, refuzon të mbledh Këshillin. Në këto rrethana mund të organziohen vetë anëtarët, ¼ e tyre, për ta mbledhur. Do të shihet nëse Bardhi mund të bind kaq anëtarët të këshillit, për t’iu imponuar Kryesisë.
Një tjetër pikë që përplas dy grupet në PD, ka të bëjë me Komisionin Zgjedhor. Është ky komision që drejton nga pika e parë deri në të fundit, procesin e zgjedhjeve, pranë të cilit do të dorëzohen kandidaturat.
Por, që të ngrihet Komisioni Zgjedhor, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar, për ta miratuar atë. Kjo me gjasë nuk do të ndodh dhe zgjedhja e kreut të ri do të jetë në dorë të një grupi të ngushtë mbështetësish të Lulzim Bashës në PD./ abcnews.al