Për raportin e DASH mbi klimën e biznesit në botë, ka reaguar kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Në një deklaratë për shtyp thuhet se qeveria amerikane është institucioni më i fundit që po konfirmon politikën korruptive dhe kriminale të Edi Ramës, se Shqipëria nuk është vend i përshtatshëm për bizneset amerikane për shkak të korrupsionit, mungesës së shtetit ligjor, korrupsionit në prokurime publike dhe mungesës së konkurrencës.
Fakti më i rëndë sipas kryetarit të PD, që dëshmon nivelin kriminal të qeverisë Rama në ekonomi është pohimi, se investitorëve të huaj, Edi Rama u bën shantazh të bashkëpunojnë me klientët e tij, ose përndryshe nuk kanë shans të investojnë. Prandaj shkruan Basha, Shqipëria është vendi i vetëm në botë që nuk ka patur asnjë investim të ri të huaj gjatë pesë viteve të fundit, nuk janë krijuar vende të reja pune e nuk ka mundësi për sipërmarrje ekonomike.
Kombinimi “krim i fortë me ekonomi të dobët” është minë me sahat për çdo shoqëri, thuhet në deklaratën e Bashës, e kjo minë duhet çaktivizuar sa më parë, ndryshe do të shkretojë gjithçka.
“Është koha që të gjithë të bashkohemi për të ndalur rënien e vendit në humnerë, duke ndalur Edi Ramën dhe çmontuar bandën e tij të oligarkëve dhe kriminelëve”, përfundon qëndrimi i kryetarit të PD për raportin e DASH./abcnews.al