Kryeministri i ri i Kosovës gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë ka zhvilluar një takim me kreun e opozitës në selinë blu, Lulzim Bashën.
“Unë pata takim të përzemërt e konstruktiv me Kryetarin e PD, me liderin e opozitës zotin Lulzim Basha. Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.”, u shpreh Kurti para gazetarëve.
Ndërkohë, Basha tha se e siguroi Kurtin që PD dhe opozita e bashkuar do të jenë gjithnjë në mbrojtje të Kosovës.
“Dua ta falënderoj kryeministrin e Kosovës për vizitën në selinë e Partisë Demokratike. E sigurova se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme., tha Basha./abcnews.al