Ditën e sotme kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar takimin e radhës në qytetin e Fierit. Kryedemokrati është pritur me entuziazëm nga simpatizantët e Partisë Demokratike të këtij qyteti. Në fjalën e mbajtur në këtë qytet, Basha tha se nuk do të ketë hapje të negociatave, me gjendjen aktuale të Shqipërisë. Këtë e dinë mirë të gjithë, tha ai, pasi partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë informuar se nuk do të ketë hapje të negociatave në qershor.
“Mirë se ju gjej vëllezër e motra, mirënjohje për këtë pritje kaq emocionuese këtu në zemër të Fierit. Pritje e jashtëzakonshme. Ju po e shihni vetë në këtë sallë, e patë vetë në Elbasan bashkimin tonë, protestat po rriten nga dita në ditë sepse ne luftojmë për çlirimin e Shqipërisë nga banda kriminale. Ne luftojmë jo vetëm të largojmë Edi Ramën por të shporrim të keqen dhe ti japim fund tranzicionit. Në tre vite radhazi Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave, ne kemi lobuar çdo ditë për këtë. Ka 3 vite që hapja e negociatave është refuzuar, vendet anëtare të BE kanë të gjithë raportet e tyre të agjensive të tyre, të shërbimeve të tyre sekrete të cilat raportojnë në mënyrë besnike për situatën në Shqiperi.
Sot Edi Rama duhet tu kërkonte falje shqiptarëve për gënjeshtrën e para 1 viti. E mbani mend se Edi Rama para 1 viti hapi shampanjën dhe tha se u hapën negociatat. Ja ku jemi dhe negociatat nuk u hapën. Më shumë kushte i janë shtuar Shqipërisë tashmë. I dinë të gjithë në Bruksel, edhe Edi Rama dhe partnerët ndërkombëtarë, se në gjendjen aktuale, në qershor, do të votohet për moshapjen e negociatave me Shqipërinë. Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave, e di fare mirë çfarë ka ndodhur në vendet ku janë hapur negociatat, pushtetarët kanë shkuar prapa hekurave. Ai po bën gjithçka që ta shtyj momentin e hyrjes së Shqipërisë në BE. Ka ardhur në pushtet me paratë e krimit dhe të drogës, një njeri që po bën gjithçka për mos hapjen e negociatave. Ne e bëjmë këtë betejë për vlera evropiane”, tha Basha./abcnews.al