Basha në heshtje për Berishën/ Do “vetting politik” me 10 deputetë

schedule23:29 - 6 Nëntor, 2023

schedule 23:29 - 6 Nëntor, 2023

Ish-kryeministri, Sali Berisha po përdor të gjitha manovrat e hapësirat e ligjit, për të mos iu bindur urdhrit të SPAK, për t’u paraqitur tek zyrat e tij.

Prej 21 tetorit, kur SPAK lëshoi urdhër/ndalimi për të dalë jashtë territorit, Berisha një herë duke u mbrojtur përmes Kushtetutës, e më pas lojërave me avokatët, ia ka arritur të mos shfaqet tek SPAK. Në vend të kësaj, ai ka bëre dalje nga selia blu që e ka marrë me forcë, por edhe nga kryesia e Kuvendit, si këtë të hënë, së bashku me grupin e deputetëve, që thonë se luftojnë për të kontrolluar qeverinë, përmes disa kërkesave për hetime parlamentare.

Por deri në çfarë pike mund të fshihet Berisha? Edhe një mundësi ka, që ia lejon ligji, atë për një njoftim të dytë nga SPAK, ose më pas do ndryshojnë rregullat e lojës dhe këtu mund të ndërhyjë Kuvendi, për t’ia hequr imunitetin.

A mund ta sfidonte mazhoranca, duke u mbledhur menjëherë në Kuvend, dhe përmes një mbledhjeje të Këshillit të Imuniteteve, ta hiqte pengesën, pas së cilës është kapur Berisha? Jo, për sa kohë nuk ka një kërkesë zyrtare nga SPAK.

Por ndërsa vetë mazhoranca duket se ia lënë Berishën plotësisht SPAK-ut, Lulzim Basha është duke qëndruar larg zhurmës së demokratëve.

Basha ka lënë plotësisht Parlamentin, nuk ka pasur asnjë reagim të drejtpërdrejtë për Sali Berishën, por këtë të hënë doli shkurtimisht në rrjetin e tij social “Facebook”, për të lajmëruar se ka hedhur një hap të madh kundër korruptuarve në politikë.

“Është depozituar ligji për “Vettingun” e politikanëve. Duhet t’i tregojmë shqiptarëve cilët janë politikanët e korruptuar, të lidhur me krimin dhe për t’i dhënë shqiptarëve një politikë të pastër”, ka thënë Basha.

Drafti është thënë që ka disa ndryshime, krahasuar me një projektligj që vetë Basha e trumbetoi me të madhe, dhjetorin e 2018, që është rrëzuar që atëherë.

Por Basha vijon të këmbëngul sërish për këtë iniciativë, edhe pse krahasuar me 2018, numri i deputetëve të tij, është tkurrur në vetëm 10 deputetë që shkojnë pas tij./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!