Basha në Dibër: Shqyrtojmë rrugët e daljes nga kjo gjendje, të vendosim kursin për të ecur përpara

schedule15:09 - 29 Dhjetor, 2021

schedule 15:09 - 29 Dhjetor, 2021

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Dibër ku zhvilloi një takim me demokratët. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD tha mes të tjerash se ka ardhur koha për të shqyrtuar rrugët e daljes nga kjo gjendje e vështirë.

Para mbështetësve, Basha tha se duhet të vendosin kursin për të ecur përpara dhe të gjithë bashkë, siç tha ai “ta nxjerrim Shqipërinë nga humnera ku e ka katandisur regjimi i Edi Ramës”.

Kreu i demokratëve tha se shumica dërrmuese e shqiptarëve janë të zhytur në varfëri, ndërsa Rama paguan 300 mijë euro për 25 këshilltarë, me taksat që iu merr qytetarëve.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Faleminderit dhe mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, dibrane dhe dibran, të rinj dhe të reja!

Zoti kryetar i degës së Dibrës, të nderuar drejtues të strukturës së degës së Dibrës, drejtues të strukturave të qarkut të Dibrës, zoti drejtues politik, zoti këshilltar i sigurisë Kombëtare, anëtarë i Kryesisë, gjeneral Gjunkshi, të nderuar vëllezër dhe motra, themelues dhe qëndrestarë, zonja dibrane, vajza dibrane, të rinj dibranë,

Së pari, dua t’u falënderojë nga zemra për pritjen në këtë ditë të ftohtë dhe me shi. Të ftohtë dhe me shi për ata që janë larg Dibrës, sepse për mua që në momentin e futjes në këtë trevë që ka kaq shumë kuptim për mua personalisht, familjarisht por edhe për të gjithë shqiptarët, ndjej nxehtësinë e mikpritjes dibrane për të cilën iu falënderoj nga zemra!

E ndjej këtë ngrohtësi, jo vetëm në shtrëngimin e duarve, e shoh këtë mikpritje jo vetëm në sytë tuaj, por mbi të gjitha në shpresën që rezëtin edhe në këto orë, në këto orë të vështira për Dibrën, Në këto orë të vështira për Shqipërinë, në këto orë të vështira për kombin shqiptar, natyrisht në këto orë të vështira për demokratët dhe Partinë Demokratike. E pra, dua t’iu falënderoj, sepse si përherë keni ditur që në ditët më të vështira të kombit, në orët më të vështira të fatit, t’i prini me zjarrin e patriotizmit në zemër, me besnikërinë ndaj vlerave më të larta kombëtare, flamurit të Kastriotit dhe mbi të gjitha me vendosmërinë dhe qëndresën për demokraci, për liri dhe për dinjitet njerëzor. Këto janë vlerat me të cilat krenohet Dibra, këto janë vlerat me të cilat Shqipëria krenohet për Dibrën dhe dibranët.

Vlerat e burrërisë, vlerat e familjes, të besimit në Zot dhe të patriotizmit, janë vlerat që kullojnë pastërtish nga kjo trevë e bekuar nga Zoti, nga kjo trevë e larë me gjakun e bijve dhe bijve dibranë ndër shekuj, madje siç u përmend edhe më parë, edhe në këtë 100 vjetor të kryengritjes dibrane, e cila është një tjetër gur kilometrik në historinë e sakrificave të kombit tonë. Por vëllezër dhe motra, arsyeja e kësaj mbledhje sot, nuk është thjesht dhe vetëm të shihemi e të takohemi me njëri-tjetrin, ndonëse kjo në vetvete më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe të dyfishtë. Arsyeja është që së bashku me të gjithë dibranët demokrat, votues të demokratëve, apo dhe vëllezërit dhe motrat tanë socialistë të zhgënjyer në palcë nga regjimi i Edi Ramës, të shqyrtojmë rrugët e daljes nga kjo gjendje, të vendosim kursin për të ecur përpara dhe të gjithë bashkë ta nxjerrim Dibrën dhe Shqipërinë nga humnera ku e ka katandisur regjimi 8-vjeçar i Edi Ramës.

Ky takim zhvillohet në kushte shumë të vështira, kudo anembanë Shqipërisë e në veçanti në treva të varfëruara me qëllim nga ky regjim siç është Dibra, siç është Bulqiza, siç është Mati, siç është Verilindja dhe Veriu në tërësi, por anembanë Shqipërisë edhe në Tiranë, 40% e familjeve nuk arrijnë dot të ngrohin shtëpitë e tyre. Ndërkohë që dimri jo vetëm ka trokitur, por po fillon me temperaturat nën 0, 50% e familjeve shqiptare, 1 në 2 familje shqiptare nuk arrijnë të paguajnë dot më shumë se një vakt të plotë për familjet dhe fëmijët e tyre. 90% e familjeve shqiptare, e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre, pavarësisht se nga vjen, të ardhura për ata pak njerëz që janë në punë, apo fermerë, pensionist plus ndihmën që mund të marrin nga fëmijët në emigracion, punonjës të administratës apo të sektorit privat, s’ka rëndësi se nga i vijnë të ardhurat, 90% e të ardhurave shkojnë për nevojat bazë. Jo sikur të ishim në zemër të Europës, po sikur të ishim në një cep të harruar të Afrikës.

Standardi i jetës ka rënë kokëposhtë, fuqia blerëse është më e ulëta krahasuar me të ardhurat në të paktën 2 dekada. Bashkë me konsumin që bie ditë për ditë, mbyllen qepenat e bizneseve, shkatërrohet tregu i punës, shtohet numri i të papunëve, e bashkë me ta edhe numri i atyre që duan të largohen dhe që largohen nga vendi i tyre.

Teksa po vija këtu, një e dhënë tjetër dramatike është shpalosur në media. 300 mijë euro për 25 këshilltarë paguan Edi Rama nga taksat që iu merr shqiptarëve. Para të mjaftueshme për të futur në skemën e ndihmës ekonomike 500 familje. Në vend të 500 familjeve në ndihmë ekonomike, kemi 25 këshilltar dhe e kuptoni vet se çfarë këshillash i japin Edi Ramës, sepse e shikojmë se si është Dibra, e shikojmë se si është Shqipëria në ditën e saj më të zezë. Të gjithë këta njerëz paguhen me paratë të cilat merren nga xhepat tuaj.

Merren përmes TVSH-së, merren përmes çmimit më të lartë të naftës, merren përmes faturave arbitrare të dritës e të ujit, merren përmes taksave që janë më të lartat në rajon, merren përmes gjobave që nuk kanë të përfunduar. Asnjë prej këtyre të ardhurave që shteti grumbullon, nuk kthehen siç kthehen në vendet fqinje në përfitime për qytetarët. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, është zhytur në varfëri. Vetëm një pakicë e vogël, aq e vogël sa e zë një avion i vetëm që është nisur ditën e avion privat sheikësh drejt Dubait, vetëm ata përfitojnë nga regjimi i Edi Ramës. Vetëm ata pasurohen në një kohë që i gjithë populli varfërohet. Vetëm Ata gëzojnë dhe fërkojnë duart për të mbajtur paligjshmërisht, me çdo kusht e me çdo mjet në këmbë këtë regjim.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!