Basha në Berlin: Qeveri tranzitore për zgjedhjet e ardhshme

schedule19:10 - 4 Prill, 2019

schedule 19:10 - 4 Prill, 2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përjashtuar mundësinë e kthimit të opozitës në Parlament. Në një intervistë për “DOJÇE VELE”, Basha ka deklaruar se vendit i nevojitet një qeveri tranzitore që do të shkëpusë sipas tij lidhjet e politikës me krimin dhe rikthejë votën e lirë tek qytetarët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se opozita nuk do të kthehet në Parlament pa u shkëputur më parë lidhjet e mazhorancës me krimin e organizuar. Nga Berlini, ku po zhvillon një takim me aleatët e djathtë në Bundestag, Basha ka theksuar se opozita po ndjek agjendën e saj politike që synon sipas tij një transformim të thellë të sistemit demokratik në Shqipëri.

 “Dalja nga Parlamenti është pa kthim. Kriza politike është reale dhe është momenti për të larguar qeverinë e lidhur me krimin dhe për t’u dhënë shqiptarëve një sistem që u shërben atyre dhe jo politikës. Jam optimist se ky proces që ka nisur do të mbështetet nga shqiptarët”.

Sipas Bashës, ndryshimi i situatës dhe rrjedhimisht zhbllokimi i ngërçit politik mund të arrihet vetëm me ndarjen e pushteteve, një Parlament funksional dhe një reformë në drejtësi që prodhon rezultate konkrete.

“Kjo mund të ndodhë vetëm përmes një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira që do t’u japin shqiptarëve një Parlament të dalë nga vota e tyre dhe jo nga influenca e bandave të narkotrafikut”.

I pyetur për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, Basha është përgjigjur:

 “Çështja e zgjedhjeve lokale zgjidhet duke ndëshkuar ata që vodhën zgjedhjet e kaluara. Pa u ndëshkuar, pa marrë fund ky model i bashkëpunimit krim-qeveri, nuk bëhet fjalë për normalitet apo zgjedhje të tjera. Prioritet është rikthimi i besimit të shqiptarëve tek procesi zgjedhor”.

Basha ka shtuar më tej se në Berlin ka gjetur mbështetje për axhendën transformuese, që sipas tij shkon përtej zëvendësimit të një qeverie me një tjetër, por sjell një transformim të thellë të demokracisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!