Basha: Ndarje të politikës nga krimi

schedule14:43 - 30 Tetor, 2018

schedule 14:43 - 30 Tetor, 2018

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët deklaroi se i vetmi bashkëpunim strategjik i shefit të ekzekutivit Rama prej vitit 2016 është ai me krimin. Sipas tij janë bandat e nënkontraktuara nga kryeministri për të menaxhuar procesin elektoral ndaj përfundimi.

“Nuk ka pothuajse asnjë drejtus te ps qe mos kete bashkepunuar apo mos jete eksponent i krimit. Nga Taulant Balla tek Damian Gjiknuri, te Vangjush Dako, Qazim Sejdini, tek Ulsi Manja e me radhë”, tha Basha.

Për një pjesë të tyre prokuroria ka sot prova të mjaftueshme për hetim të zgjeruar, e të tjerë për t’i vënë në pranga, thekson Basha.

“Xhafaj nuk mund të shpëtojë se dha dorëheqjen, ai duhet të hetohet. Sëbashku me të Veliu, drejtuesit e Policisë së Fierit, natyrisht edhe i kudogjenduri Taulant Balla. Vangjush Dako duhet të arrestohet, sëbashku me Elvis Rroshin, Gent Dajën dhe prokurorin Ndoi. Prokurori ka prova për bashkëpunimin e Dakos me krimin si dhe personave të sipërpërmendur”, u shpreh Basha.

Skandalet e tjera të paralajmëruara nga vetë ai, Basha i pret nga dosja e cila solli në qendër të vëmendjes kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.

“Dosja 339 në të cilën keni parë vetëm majën e ajsbergut në vetvete është pjesë e disa hetimeve siç është dosja hetimore e Dibrës në të cilën janë krijuar prova dhe fakte ligjore të përfshirjes së Sajmir Tahirit, asokohe ministër i Brendshëm, Damian Gjiknurit, asokohe dhe akoma ministër dhe të paktën katër deputetëve të PS-së, në transaksione të së njëjtës natyrë si dosja 339 me banda të krimit të organizuara, me figura të krimit të organizuar si Ymer Lala”, tha kreu i opozitës.

Sa i përket rastit të Saimir Tahirit, një këshillë.

“Duhet të heqim dorë nga skenari që të akuzohet për krime të lehta dhe jo për trafikun e drogës. Sajmir Tahiri ka qenë eksponent direkt i krimit dhe i trafikut të drogës dhe këtë nuk e mbulon, as fsheh dot askush”, theksoi kreu i PD-së.

Minimalisht 15 mandate deputetësh janë marrë përmes shtabeve kriminale që zëvendësuan ato elektorale me Rilindjen, thekson Basha, i cili përsëriti qëllimin e opozitës për dekriminalizim të zgjedhjeve dhe ndarje të politikës nga krimi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!