Kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë foto nga takimi me delegacionin e kongresit amerikan dhe ambasadoren Yuri Kim ditën e djeshme në selinë e PD. Basha shprehet se ka ndarë me ta shqetësimin për situatën në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit dhe atë që ai e quan masakrën zgjedhore.
Një pikë tjetër e diskutimit siç citon kryedemokrati ka qenë situata në Kosovë dhe rajon. Ai shprehet se mbyllja sa më e shpejtë e bisedimeve Kosovë-Serbi do i shërbente paqes në rajon. Basha shton se ka ritheksuar se për të dhe PD në tërësi, SHBA janë partneri strategjik.
“Kënaqësi të mirëprisja delegacionin e Kongresit amerikan dhe ambasadoren Yuri Kim dhe t’u shprehja mirënjohjen time dhe të PD për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA i kanë dhënë Kombit shqiptar. Ndava me ta shqetësimin tonë për situatën në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, masakrën zgjedhore dhe lidhjet e politikës me krimin.
Diskutuam edhe për situatën në Kosovë dhe rajon. Mbyllja sa më e shpejtë e bisedimeve Kosovë-Serbi me njohjen reciproke, do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon, që sot mbetet i brishtë. Ritheksova se për mua dhe PD, SHBA janë partneri ynë strategjik dhe bashkëpunimi sa më i ngushtë ekonomik, politik dhe në fushën e sigurisë është prioritet kryesor i yni”, shkruan Lulzim Basha.
1/4 Kënaqësi të mirëprisja delegacionin e Kongresit amerikan ?? dhe ambasadoren @USAmbAlbania Yuri Kim dhe t’u shprehja mirënjohjen time dhe të PD për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA i kanë dhënë Kombit shqiptar. pic.twitter.com/496r1wrs0F
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) October 15, 2021
m.v/Abcnews.al