Basha mbledh grupin e ish-deputetëve dhe kryesinë

schedule14:17 - 25 Mars, 2019

schedule 14:17 - 25 Mars, 2019

Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me anëtarët e ish-grupit parlamentar si dhe ata të kryesisë së forcës politike që drejton, takim gjatë të cilit mësohet të ketë kërkuar më shumë angazhim në terren përmes takimeve me qytetarët.

Paraditen e së hënës kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur grupin e ish-deputetëve si dhe kryesinë e forcës politike që drejton në një takim të përbashkët, mbledhje e cila vjen pas asaj të kolegjit të kryetarëve. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se në fokus të diskutimit ka qenë aksioni i opozitës dhe vijimi i mobilizimit në protesta periodike.

E ndërsa mbledhja e kolegjit të kryetarëve u përmbyll me njoftimin se pasditja e 13 prillit do të presë protestën e radhës kombëtare të thirrur nga opozita, ajo e përbashkët mes grupit të ish-deputetëve dhe kryesisë së Partisë Demokratike u fokusua kryesisht tek protestat që opozita ka paralajmëruar se do të shoqërojnë seancat plenare, kurdo që Kuvendi t’i thërrasë ato.

Burime bëjnë me dije se kreu i demokratëve Basha i ka kërkuar anëtarëve të kryesisë dhe ish deputetëve të jenë më aktivë dhe të jenë balli i aksionit opozitar përmes takimit me qytetarët.

“Partia Demokratike duhet të jetë pranë njerëzve edhe për t’i shpjeguar atyre alternativën që ofron kjo forcë politike”, ka theksuar kryedemokrati.

Basha ka kërkuar gjithashtu mobilizim të strukturave për protestën e radhës përpara godinës së parlamentit, e cila pritet të përkojë me seancën plenare, dita dhe ora e të cilës mbetet ende e pa shpallur nga Kuvendi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!