Basha kryetar grupi i PD, reagon ashpër Bardhi: S’ka ardhur dita që ta caktojë PS, mos provokoni!

schedule10:35 - 4 Shtator, 2023

schedule 10:35 - 4 Shtator, 2023

TIRANË- Pasi kryetarja e kuvendit konfirmoi se kryetari i grupit parlamentar të PD-së është Lulzim Basha, Gazment Bardhi mori fjalën në Kuvend duke reaguar ashpër.

Ai tha se kryetarin e grupit nuk e zgjedh dot PS, por deputetë e Partisë Demokratike. Zgjedhjen e Bashës në krye të grupit Bardhi e quajti veprim qesharak, ndaj i kërkoi kryeparlamentares të mos provokojë deputetët e Partisë Demokratike.

“Ta harroni, që kryetarin e grupit parlamentar të PD, ta zgjedh PS-ja. Në këtë sallë ka deputetë të Kuvendit dhe janë deputetë e grupit të PD që vendosin se kush është kryetari i grupit të PD. Disa kanë vendosur të jenë qesharak, por ju lutem mos provokoni deputetë e opozitës. Ky është paralajmërimi i thjeshtë dhe qytetar. Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk e caktojnë dot kryetarin e grupit parlamentar të PD”, tha ai.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla iu përgjigj Bardhit duke theksuar se me veprimet e tyre, po e tërheqin Kuvendin drejt një situate të paprecedentë.

“Qesharakë bëheni ju, që nuk dini si zgjidhet kryetari i grupit parlamentar dhe sillni këtu dy tre përfaqësues si kryetar i grupit parlament. Jeni konfuzë dhe po krijoni një situatë të paprecedentë në Kuvendin e Shqipërisë. Jeni shumë konfuzë z.Bardhi dhe po e tërhiqeni Kuvendin në një situatë të paprecedentë”, tha Nikolla./ n.m.abcnews.al