Basha: Kriza ekonomike nuk zgjidhet me propagandë, me planin tonë do të çlirojmë nga makthi biznesin

schedule18:05 - 5 Shtator, 2020

schedule 18:05 - 5 Shtator, 2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar këtë të shtunë, në lidhje me raportin më të fundit të Bankës Botërore për ekonominë shqiptare.

Basha përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se deri më tani të paktën 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës për shkak se 32 mijë biznese janë mbyllur këtë vit.

Sipas kryedemokratit kriza që ka përfshirë vendin tonë nuk zgjidhet me propagandë e shfaqje të lodhura me regji qendrore, por me ndërhyrje emergjente.

Ndër të tjera Basha shkruan se plani i tyre ekonomik, me uljen e taksave dhe me taksën e sheshtë 9%, do të çlirojnë biznesin nga ankthi dhe do të krijojnë mundësi për çdo shqiptar të punojë e jetojë me dinjitet në vendin e tij.

Reagimi i plotë:

Të paktën 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës për shkak se 32 mijë biznese janë mbyllur këtë vit.

6 në 10 biznese të regjistruara në Shqipëri nuk kanë realizuar asnjë fitim  pas heqjes së masave bllokuese sipas një studimi të Bankës Botërore, çka paralajmëron të tjera falimentime dhe mbyllje vendesh pune.

Kjo krizë e thellë ekonomike nuk zgjidhet me propagandë e shfaqje të lodhura me regji qendrore, por me ndërhyrje emergjente.

Por këtë nuk mund ta bëjë ai që në 7 vite ka rritur taksat dhe çmimet, dhe paratë e shqiptarëve i ka vjedhur e shpërdoruar me një grusht oligarkësh, përmes PPP-ve, koncesioneve dhe tenderave korruptivë.

Vendi ka nevojë per ndryshim, për frymëmarrje dhe model të ri ekonomik që mund të arrihet vetëm përmes një qeverisje ndryshe.

Me planin tonë ekonomik ne do të ulim taksat, taksa e sheshtë 9%, mbështetja për biznesin e vogël, moratoriumi për inspektoriatet dhe taksidarët dhe masa të tjera, do të çlirojnë biznesin nga ankthi dhe do të krijojnë mundësi për çdo shqiptar të punojë e jetojë me dinjitet në vendin e tij. e.su./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!